Kanë kaluar dy vite nga afati 20-vjeçar i ndërtimit të portit të Durrësit dhe të vetmet zhvillime kanë qenë skandalet e lidhura me projektin.
Lajmi i fundit lidhur me portin, ringriti pikëpyetjet për transparencën e procedurave prokuruese, ndonëse u sfumua nga zhvillimet e politikës dhe kronikës.
Një parregullsi e konstatuar nga kompania franceze Vinci, e interesuar për të zhvilluar portin e ri në Porto Romano, nuk u pranua nga Komisoni i Prokurimit Publik, duke lënë në garë vetëm dy kompani.
Pa shumë detaje publike, Vinci u përjashtua nga gara e tenderit 400 mln euroshe me arsyetimin se nuk pagoi tarifën përkatëse të ankimimit. Momentalisht, për Porto Romanon po garojnë hollandezët e Van Oord dhe grekët e Archirodon, përsëri me qendër në Holandë.
“Ankesa është paraqitur gjatë fazës së parakualifikimit dhe jo kundër një vendimi përfundimtar apo një vendimi të marrë pas përfundimit të kësaj faze. Prandaj, bazuar në përmbajtjen dhe interpretimin e Vendimit nr. 236, asnjë nga dispozitat e mësipërme nuk êshtë e zbatueshme në këtë rast specifik dhe, rrjedhimisht, nuk është e detyrueshme pagesa e tarífës së ankimit,” i është drejtuar Vinci përmes një shkrese zyrtare Komisionit të Prokurimeve.
Paralelisht kompania ka theksuar se edhe nëse tenderi do të ishte në fazën kur pagesa e tarifës së ankimimit të ishte e detyrueshme, do të ishte objektivisht e pamundur për një kompani ndërkombëtare që ta paraqiste atë brenda afateve të përcaktuar
Këto pretendime nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Prokurimeve, i cili ka vendosur të rrëzojë ankesën e Vincit si dhe ka udhëzuar Autoritetin Portual, që të vazhdojë me hapat e mëtejshëm të procedurës së Prokurimit.
Kjo është ankesa e dytë që shteti shqiptar rrëzon duke i hapur rrugë shndërrimit të portit kryesor të vendit.
E para dhe më domethënësja ishte rrëzimi nga Gjykata Kushtetuese e kërkesës së Partisë Demokratike, për të shfuqizuar kontratën fillestare të portit të ri, që parashikon ndërtimin e një porti luksoz dhe kompleks vilash nga arabi Mohammed Alabbar. Projekti synon që porti në qytet, të përdoret për jahte dhe veprimtari elitare, ndërsa transporti i pasagjerëve dhe mallrave të devijohet në Porto Romano.
Ky ndryshim nuk u njoftua kurrë nga qeveria shqiptare, por u zbulua nga mediat. Atëkohë, Zoom.al dispononte dokumentacionin e projektit ende të panjoftuar dhe raportoi se Porto Romano nuk do transportonte vetëm mallra, por edhe pasagjerë. Dokumenti hodhi zyrtarisht poshtë narrativën e qeverisë Rama, që deklaronte se porti po bëhej për qytetarët dhe jo interesa të tjera.
Për këtë projekt, qeveria pati njoftuar se do të financohet nga para të jashtme, por shumë shpejt u zbulua se në fakt do të financohej nga buxheti që mbledh taksat e qytetarëve.
Përveç skandaleve kombëtare (kontrolli i grupeve kriminale dhe trafiku i kokainës), porti I Durrësit personifikohet edhe me disa skandale ndërkombëtare. Ai që ka premtuar të transformojë portin me një kosto 2 mld euroshe, Mohammed Alabbar, para një viti u shpall në kërkim ndërkombëtar për një projekt inekzistent në Beograd dhe është nën hetim nga autoritetet indiane nën akuzën e mashtrimit financiar për një projekt të pasurive të patundshme. Të dyja lajmet kanë dalë nga burime të shteteve përkatëse, ndërsa vetë Alabbar, në një përgjigje për mediat, i quajti spekulime. Të tjera burime raportonin se Alabbar nisi të shiste aksionet e kompanisë së tij EMAAR, me frikën e një sekuestroje të mundshme.
Dokumenta të tjera, përpunuar nga Zoom.al tregojnë se janë rreth 10 kompani të përfshira në projektin e Durrës Marina Yacht dhe asnjëra nuk ka lidhje me EMARR Holdings, kompania e Alabbar.