FLASH :

Pornostari akuzohet për vrasje të dyfishtë brutale në Londër: Trupat e prerë dhe kokat në frigorifer

Një histori e përbindshme ka tronditur opinionin publik në Britaninë e Madhe, ku një aktor porno nga Kolumbia, Yostin Andres Mosquera, 35 vjeç, po gjykohet për vrasjen makabre të dy burrave në Londër, përfshirë një akt seksual të filmuar gjatë momentit të krimit. Sipas prokurorisë, Mosquera vrau me çekiç Paul Longworth, 71 vjeç, dhe më pas Albert Alfonso, 62 vjeç, partneri i tij, të cilin e goditi për vdekje me thikë gjatë aktit seksual që ai vetë regjistroi në video.

Trupat e viktimave u copëtuan dhe kokat e tyre u ruajtën në një frigorifer, ndërsa pjesë të trupave u transportuan në valixhe drejt urës së famshme Clifton Suspension Bridge në Bristol, ku një kalimtar i rastësishëm i zbuloi dhe lajmëroi policinë. Mosquera, që vepronte nën emra të ndryshëm në rrjetet pornografike si “iamblackmaster” dhe “mrd-k20cm”, kishte udhëtuar më parë drejt Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në akte seksuale me Albert Alfonso në këmbim të pagesës, ndërsa kishte ruajtur kontaktet edhe me partnerin e tij të moshuar.


Vrasje e planifikuar dhe përpjekje për vjedhje financiare

Sipas analizës së prokurorisë në Old Bailey, Mosquera kishte bërë kërkime të detajuara për vlerën e pronës së çiftit në Shepherd’s Bush, për llogaritë bankare të Alfonso-s dhe kishte blerë paraprakisht një frigorifer të madh për të fshehur kokat e viktimave. Ai gjithashtu kishte kërkuar në internet për “vrasës serialë në Londër” dhe “filma për Jack the Ripper”.

Në datën 8 korrik 2024, Mosquera i vrau të dy burrat në banesën e tyre në Londër dhe filloi të manipulonte të dhënat e tyre personale për të përfituar financiarisht. Ndërkohë që ai pranon se ka vrarë Albert Alfonso, ai e mohon vrasjen e Paul Longworth, duke pretenduar se kjo ishte kryer nga Alfonso para vdekjes së tij – një pretendim që prokuroria e cilëson si të pabesueshëm, duke theksuar se vrasjet ishin të planifikuara dhe të kryera nga Mosquera.


Një marrëdhënie e errët me pasoja fatale

Çifti, që kishte hyrë në një partneritet civil në fillim të vitit 2023, ishte përshkruar nga fqinjët si “një çift i qetë dhe i dashur”. Megjithatë, Alfonso zhvillonte një jetë seksuale të fshehtë dhe ekstreme me Mosquera-n, të cilin e kishte njohur online dhe me të cilin shkëmbenin përmbajtje filmike të natyrës seksuale.

Në mars të vitit të kaluar, të tre udhëtuan së bashku për pushime në Kolumbi, ku edhe dokumentuan udhëtimin me fotografi dhe video në bregdet, siç u paraqit në gjyq nga prokurorja Deanna Heer. Ajo theksoi se pas kthimit, Mosquera kishte “qëllime të tjera” kur vizitoi sërish çiftin në Londër.


Procesi gjyqësor vijon

Mosquera është deklaruar fajtor vetëm për vrasje pa paramendim (manslaughter) për rastin e Alfonso-s, por mohon të ketë kryer vrasje të qëllimshme (murder) ndaj cilitdo prej viktimave. Gjykata ka publikuar detaje tronditëse mbi aktin brutal, ku Mosquera ka regjistruar vrasjen në video dhe ka tentuar të heqë qafe trupat duke i transportuar në valixhe, me pretendimin se ishin “pjesë makine”.

Gjyqi po vazhdon në Old Bailey, ndërsa prokuroria këmbëngul se kjo është një vrasje e dyfishtë e planifikuar, me qëllim përfitimi financiar dhe me shenja të një sjelljeje psikopate. Trupi gjykues pritet të marrë një vendim pas shqyrtimit të plotë të provave dhe dëshmive.