FLASH :

Polonia rrëzon mbi 10 dronë rusë në hapësirën e saj ajrore: Akt agresioni, jemi në kontakt me NATO-n! Avionë luftarakë në veprim

Polonia ka qenë në gatishmëri të lartë për çdo objekt që hyn në hapësirën e saj ajrore që kur një raketë ukrainase goditi një fshat në jug të vendit në vitin 2022, duke vrarë dy persona, vetëm disa muaj pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Mbi 10 dronë rusë hynë në hapësirën ajrore polake gjatë një sulmi në Ukrainën Perëndimore. Polonia e quajti një akt agresioni, dhe në përgjigje, avionët polakë luftarakë u ngritën në ajër duke rrëzuar disa prej tyre. Kryeministri Donald Tusk ndoqi personalisht operacionin, ndërsa njoftoi se është në kontakt me NATO-n.

Ministria e Mbrojtjes tha se dronët hynë në hapësirën ajrore gjatë natës, duke kërcënuar qytetin Zamosc dhe provincat e Mazovisë, Podlaskie dhe Lublinit, dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në banesa. Sipas mediave, një dron goditi një shtëpi në qytetin ëyryki ëola në rajonin e Lublinit, por pa të lënduar. 

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me komandën e NATO-s”, tha ministri i Mbrojtjes Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, i cili i bëri thirrje popullsisë të “qëndrojë e qetë dhe të ndjekë njoftimet nga shërbimet shtetërore dhe ushtarake”. Autoritetet mbyllën përkohësisht edhe Aeroportin Chopin të Varshavës.

Tusk tha se Polonia është e gatshme t’i përgjigjet çdo sulmi apo provokimi. 

“Po përballemi me një provokim në shkallë të gjerë… Jemi të gatshëm të sprapsim provokime të tilla. Situata është serioze dhe askush nuk dyshon se duhet të përgatitemi për skenarë të ndryshëm”, tha Tusk.

“Pas sulmit të sotëm nga Federata Ruse në territorin ukrainas, ndodhi një shkelje e paprecedentë e hapësirës ajrore polake nga objekte të tipit dronë. Ky është një akt agresioni që ka paraqitur një kërcënim real për sigurinë e qytetarëve tanë”, theksoi Komanda Operacionale e Ushtrisë Polake në X.