FLASH :

Policia zbardh shkakun e aksidentit tragjik në Fushë-Prezë, ‘Benz’-i me shpejtësi ‘skëterrë’, betoniera kishte…

Policia e Tiranës ka dhënë njoftim zyrtar lidhur me aksidentin tragjik mbrëmjen e së mërkurës në Fushë-Prezë, ku humbën jetën katër të rinj. Të rinjtë që humbën jetën pas zjarrit në automjetin e aksidentuar janë të moshës 20-25 vjeç; Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi nga fshati Borizanë i Fushë-Krujës.

Ndërkohë, policia njofton se Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, drejtuesi i automjetit betoniere, është arrestuar për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Më datë 19.03.2025, rreth orës 23:50, në segmentin rrugor ”Vorë – Fushë Krujë”, automjeti tip “Mercedes Benz” me drejtues shtetasin Enejdi Laçi, 25 vjeç (i pajisur me leje drejtimi), që dyshohet se lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara, ka goditur nga pas betonieren me drejtues shtetasin Aleksandër Krrashi (pa leje drejtimi për këtë kategori mjetesh), që kishte ndaluar në karrexhatë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.

Nga goditja, automjeti tip “Mercedes Benz” është përfshirë nga flakët dhe për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi dhe 3 pasagjerët. Pas aksidentit, drejtuesi i betonieres është larguar nga vendngjarja.

Në pranga është vënë edhe shtetasi Valentin Krrashi, 25 vjeç, i afërm i 24-vjeçarit, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi dyshohet se ka larguar nga vendi i aksidentit, 24-vjeçarin si dhe Danjel Koxha, 34 vjeç, me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar shoferi i detonieres, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se menaxheri nuk kishte marrë masa për pajisjen e betonieres, me dokumentacionin e nevojshëm për qarkullim dhe kishte punësuar drejtuesin e betonieres, pa patur leje drejtimi për këtë kategori mjetesh.

Gjithashtu, është shpallur në kërkim administratori i kësaj firme, shtetasi S. H., 27 vjeç. Punohet për kapjen e tij.  

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.