FLASH :

Policia shqiptare bllokon në Ksamil gomonen që sapo ishte vjedhur në Lefkada

Vijon monitorimi intensiv nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë detare.

Nga Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me homologët grekë, është lokalizuar dhe bllokuar jashtë zonës së perimetrit të sigurisë në plazhin e Pemës së Thatë Ksamil-Sarandë, një gomone e vjedhur në zonën e quajtur Lefkadha, Greqi. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Si rezultat i monitorimeve dhe kontrolleve të kryera nga Komani në Ksamil, gjatë javës janë kontrolluar 525 mjete lundruese, nga të cilat 35 janë bllokuar për shkelje të ndryshme.

Konkretisht 22 jet ski, 5 skafe, 6 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar.

14 prej mjeteve lundruese janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masë administrative prej 100.000 lekësh secili.

Gjithashtu, janë shpëtuar në det 19 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), dhe 6 mjete lundruese falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare nga Ksamili në Koman.

Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të përdorimit të mjeteve lundruese: Mos shkelni perimetrin e sigurisë; lundroni vetëm në zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e nevojshme të shpëtimit.