Tension në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, ku po zhvillohet rinumërimi i votave për zgjedhjet e 11 majit. Deputeti i PD-ASHM, Asllan Dogjani, është nxjerrë me forcë nga policia pas një përplasjeje verbale me anëtarin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), Ilir Rusmali. Sipas vendimit të KAS, Dogjani kishte intimiduar numëruesit dhe kishte ofenduar publikisht anëtarët e komisionit gjatë procesit.
Shkak për incidentin është bërë një fletë votimi, për të cilën Dogjani ka akuzuar Rusmalin dhe KAS-in për manipulim të rezultatit, duke i konsideruar “hajdutë votash”. Deputeti pretendon se një votë e shënuar për të dhe për PD-ASHM u shpall e vlefshme vetëm për partinë, duke i mohuar atij votën personale. “Qytetarët duhet të ngrihen në këmbë, sepse nuk jemi më në demokraci, por në diktaturë,” deklaroi ai për mediat, ndërsa policia e shoqëronte jashtë ambienteve të rinumërimit.
Dogjani ka paralajmëruar kallëzime penale për komisionerët në disa qendra votimi, të cilët, sipas tij, kanë tjetërsuar në mënyrë të qëllimshme votat. Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes akuzat për manipulim të procesit zgjedhor dhe tensionet brenda institucioneve të administrimit të zgjedhjeve.