Në prag të përballjes së shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Arenën Kombëtare”, Policia e Shtetit ka publikuar planin zyrtar të masave për garantimin e rendit dhe sigurisë. Sipas njoftimit, do të ketë kufizime të pjesshme të qarkullimit në disa akse kyçe të Tiranës, në kohët kur ekipi serb do të eskortohet drejt stadiumit.
Më konkretisht, rruga nga bulevardi “Gjergj Fishta” – ku ndodhet hoteli i ekipit serb – drejt bulevardit “Bajram Curri” dhe stadiumit, do të bllokohet pjesërisht për rreth 25 minuta sot në orën 16:30 dhe nesër në orën 18:45, gjatë lëvizjes së ekipit për në stërvitje dhe ndeshje. Policia u bën thirrje qytetarëve të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave në terren, duke theksuar se çdo veprim që cenon sigurinë publike do të trajtohet me “tolerancë zero”. Autoritetet janë angazhuar maksimalisht që aktiviteti të zhvillohet pa incidente.