Një ngjarje dramatike ka ndodhur në Nutsford Vale Park në Levenshulme të Manchester-it, ku një qen i racës “XL Bully” u godit për vdekje me elektroshok nga policia pasi kërcënoi oficerët gjatë arrestimit të pronarit të tij.
Policia ishte thirrur në vendngjarje të premten në mbrëmje pas raportimeve se disa persona ishin parë me hanxharë. Në videon dramatike shihet një burrë me kapuç që po arrestohet nga dy oficerë ndërsa qeni i tij leh dhe kërcënon policinë.

I dyshuari dëgjohet teksa i thotë qenit: “Hajde Skye, hajde Skye” para se kafsha të hidhet drejt policëve. Më pas, burri arrin të vrapojë përgjatë trotuarit edhe pse me duart e prangosura, ndërsa ndiqet nga oficerët dhe qeni që leh vazhdimisht. Në një moment, një nga oficerët tund shkopin për të larguar kafshën agresive, e cila më vonë goditet me elektroshok.
Pronarët e qenit u shprehën “të shkatërruar” nga humbja e kafshës së tyre, duke pretenduar se qeni ishte i regjistruar, i siguruar dhe i pajisur me maskë. Ata thanë se kafsha nuk kishte qëllim t’i sulmonte policët por ishte “e fokusuar vetëm tek pronari i saj”.
Megjithatë, Policia e Manchester-it e përshkroi qenin si “shumë agresiv” dhe pretendon se ai u lëshua qëllimisht nga pronari për të shmangur arrestimin. Dy djem 16-vjeçarë janë arrestuar nën akuzën e grabitjes dhe posedimit të armëve të ftohta dhe pritet të dalin në gjykatë më 28 prill.
Një përdoruese në rrjetet sociale, e cila pretendon se është motra e të arrestuarit, e përshkroi qenin si viktimë të “brutalitetit policor”, duke thënë se qeni po mbronte pronarin e tij 16-vjeçar.

Policia e Manchester-it deklaroi: “Për të zvogëluar rrezikun ndaj publikut dhe oficerëve në vendngjarje, u përdor elektroshoku mbi qenin. Fatkeqësisht, kafsha më pas humbi jetën.”
Incidenti vjen në vazhdën e një sërë episodesh të rënda që lidhen me racën “XL Bully”, e cila është ndaluar për t’u mbajtur nga kushdo pa certifikatë përjashtimi që nga viti i kaluar.
Policia e Manchester-it konfirmoi se incidenti po shqyrtohet edhe nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.