Policia e Vlorës ka ndërmarrë një aksion kontrolli në disa lokale nate dhe ambiente muzikore përgjatë zonave turistike dhe Lungomares, me synimin për të parandaluar ndotjen akustike dhe për të garantuar qetësinë publike gjatë sezonit turistik.
Efektivët e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë verifikuar respektimin e orareve të lejuara për muzikë dhe nëse subjektet janë të pajisura me aparatura matëse të zhurmës, siç parashikohet nga ligji. Policia njoftoi se gjatë kontrolleve nuk janë konstatuar shkelje konkrete, por u zhvilluan takime sensibilizuese me pronarët e bizneseve.
Autoritetet kanë rikujtuar se norma maksimale e lejuar për zhurmat është 85-110 decibel, dhe tejkalimi i saj do të sjellë masa ndëshkuese që variojnë nga 200 mijë deri në 400 mijë lekë të rinj. Policia u bën thirrje subjekteve të respektojnë ligjin për të siguruar një mjedis argëtues, por të sigurt dhe të qetë për banorët dhe turistët. Kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim.







