FLASH :

Policia e Tiranës ka zbuluar një klinikë dentare në Tiranë, ‘Golden Dental & Aesthetic’ , e cila ofronte shërbime dentare me preparate të skaduara. 2 në pranga dhe 12 punonjës në hetim.

Administratori dhe stomatologu i një klinike private në Tiranë janë arrestuar, pasi ofronin shërbime me preparate të skaduara. Bëhet fjale për klinikën “Golden Dental & Aesthetic”, në Rrugën e Kavajës.

Në pranga ka rënë administratori i klinikës, Ervin Zeka, 40 vjeç, dhe stomatologu Kejdi Myzyri, 26 vjeç. Ndërkohë, ka nisur hetimi për 12 punonjës të kësaj klinike.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në ambientet e klinikës, janë gjetur dhe sekuestruar një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara që nga viti 2023, të cilat përdoreshin në shërbime të ndryshme si terapi, ortodoncë, kirurgji, implante, ura porcelani dhe riparime të aparaturave dentare.

“Në kuadër të planit të masave për kontrollet në klinika dentare, me qëllim sigurinë e pacientëve që marrin shërbim në këto subjekte, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike-Financiare të DPPSh-së, në bashkëpunim me efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”.

Në Rrugën e Kavajës, në ambientet e subjektit me administrator shtetasin E. Z., që ofronte shërbime dhe punime stomatologjike dhe laboratorike si: terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza, implante dhe riparime të aparaturave dentare, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sërë preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara.

Në përfundim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestuan në flagrancë administratori i subjektit, shtetasi E. Z., 40 vjeç, dhe shtetasi K. M., 26 vjeç, të dy stomatologë në klinikë. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 12 punonjës në këtë klinikë”, njoftoi Policia. 

Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe tregtimi i barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.