Një tjetër ngjarje e dhunshme, këtë herë në zonën e Lundrës në Tiranë, ka rikthyer në vëmendje një nga krimet më të mëdha të viteve të fundit. Bëhet fjalë për zhvatjen e miliona eurove nëpërmjet rrjeteve të mashtrimit me “call center” apo bursat forex, nga Shqipëria në dëm të qytetarëve europianë.
Ngjarja e fundit, ku në një lokal brenda kompleksit “Long Hill” u dhunua barbarisht me shkopa bejzbollo Krist Fufi, djali i ish-deputetit të PD-së Mhill Fufi, ka të bëjë pikërisht me konfliktet brenda botës së call center-ave. Sipas burimeve të Zoom.al, një nga autorët e dhunës ishte Kliton Sulçe, i njohur me pseudonimin “Kinezi”, një emër i njohur në tregun ilegal të mashtrimeve online me platforma të rreme investimi.
Sulçe menaxhon disa celula të mashtrimit me forex përmes kompanisë “Datatrain shpk”, të regjistruar në dhjetor 2021 në Tiranë. Pas kësaj kompanie dyshohet se fshihet një rrjet i madh, që përmes telefonatave, zhvat gjermanë, spanjollë, francezë dhe së fundmi edhe qytetarë nga SHBA dhe Kanadaja.
Mashtrimet me forex janë kthyer në një industri kriminale të mirëstrukturuar në Shqipëri. Zoom.al ka raportuar më parë se prokuroria shqiptare, sidomos ajo e Tiranës, është mbushur me dhjetëra letër-porosi nga vendet e BE-së që kërkojnë ndjekjen penale të individëve dhe grupeve që operojnë call center-a mashtrues.
Gjermania, Spanja, Italia, Franca dhe Austria kanë kërkuar prej kohësh hetime të thelluara, duke argumentuar se nga Shqipëria janë kryer mashtrime në vlerën e qindra milionë eurove. Megjithatë, prokurorë dhe drejtues policie të korruptuar, të lidhur me këto rrjete kriminale, kanë bllokuar dosje, kanë penguar hetime dhe kanë mbyllur hetime në këmbim të ryshfeteve marramendëse.
Shumë prokurorë e drejtues policie dyshohet se janë në listën e pagave të këtyre grupeve kriminale, që kanë rekrutuar me dhjetëra të rinj, përfshirë studentë, duke i bërë edhe ata pjesë të aktivitetit kriminal.
Luksi i bosëve të call center dhe heshtja e autoriteteve
Pavarësisht kallëzimeve dhe presionit ndërkombëtar, drejtësia shqiptare nuk ka vepruar. Arsyeja duket qartë: bosët e call center-ave pagujanë haraç të përmuajshëm që të lihe të qetë. Në Shqipëri, këta individë jetojnë me pasuri të pajustifikuara, duke shfaqur një mënyrë jetese që sfidon hapur ligjin dhe shtetin. Paratë e marra duke mashtruar qindra mijëra individë e familje europiane po i pastrojnë në aktivitete të ndryshme, kryesisht në ndërtim.
Vila luksoze në periferi të Tiranës, makina super sportive si Lamborghini, Ferrari e Bentley, udhëtime të shpeshta në Dubai, Mykonos e Maldive, festa ekstravagante me shampanjë të markave si Dom Pérignon dhe përdorim i hapur i shumave të mëdha të parave cash në klube nate e kazino, kjo është përditshmëria e tyre. Dhe askush nga autoritetet shqiptare nuk reagon.
Nuk ka ende hetim pasuror për këta individë, ndonëse shenjat e pasurisë së tyre të pajustifikuar janë flagrante dhe publike.
Milionat e vjedhura prodhojnë konflikte
Përleshja në Lundër nuk është një rast i izoluar. Siç ka ndodhur më parë me konfliktin midis Klaus dhe Rei Shaqirit dhe një grupi tjetër rival, edhe në këtë rast dhuna raportohet se shpërtheu nga mosmarrëveshjet për fitimet nga mashtrimet me forex. Thjesht, paratë e vjedhura nuk ndahen gjithmonë sipas marrëveshjes dhe konfliktet degjenerojnë në dhunë fizike me grushta dhe leva e shkopa bejzbollo.
Në një treg ku qarkullojnë qindra miliona euro çdo vit dhe ku çdo grup kërkon pjesën e vet, përplasjet e dhunshme po bëhen të zakonshme. Të rinj të pajisur vetëm me telefonë dhe një anglishte apo italishte të dobët, por të pangopur për para, hyjnë në këtë rrjet duke ndjekur premtimin për pasuri të shpejtë dhe pa mund.
Pse Shqipëria është kthyer në parajsë për mashtruesit?
Shqipëria është kthyer në një parajsë për operacionet e paligjshme të forex për disa arsye.
Ka një mungesë të vullnetit politik për të hetuar dhe ndëshkuar këto krime. Erion Braçe i pati denoncuar në parlament disa vite më parë, por atij iu mbyll goja në mënyrë të pashpjegueshme. Nuk ka folur më. Myslym Murrizit i ndodhi e njëjta situatë.
Korrupsioni i thellë në polici dhe prokurori është një arsye tjetër. Zoom.al mëson se disa raste po hetohen nga SPAK, pasi mashtruesit e call center rezultojnë të kenë krijuar lidhje me rrjete të fuqishme kriminale.
Pastrimi i parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, biznese luksoze dhe financim fushatash politike është një tjetër arsye që e ka bërë këtë aktivitet të lulëzojë në Shqipëri.
Rrjedhimisht, krimi i call center-ave është kthyer në një sektor që jo vetëm gjeneron pasuri marramendëse për një grup të vogël njerëzish, por edhe korrupton shtetin shqiptar nga brenda.
Ky rrjet ka korruptuar e kriminalizuar policë, prokurorë dhe të rinj e të reja që punojnë për të siguruar jetesën.
Mjafton që SPAK të gjurmojë vetëm disa nga të rinjtë si “Kinezi”, që lëvizin nëpër Tiranë me mjete luksoze ndonëse nuk kanë bërë asnjë ditë punë dhe s’kanë asnjë aktivitet sipërmarrës për të zbuluar se luksi i tyre buron nga paratë që u vjedhin qytetarëve europianë.






