FLASH :

Policia britanike ofron 15,000 paund shpërblim për kapjen e atentatorit që la një vajzë 9-vjeçare me plumb në tru në Londër

Një vajzë 9-vjeçare në Londër mbeti me një plumb të ngulur në tru pas një atentati të dështuar mafioz që kishte në shënjestër tre anëtarë të bandës turke Hackney Turks. Vajza ishte duke ngrënë akullore në një restorant mesdhetar në Dalston, kur u godit nga njëra prej gjashtë plumbave që një atentator i armatosur qëlloi nga një motor i vjedhur, Ducati Monster.

Fëmija, e cila ndodhej rastësisht në vendin e gabuar, iu nënshtrua ndërhyrjes për rindërtimin e kafkës me pllakë titani, ndërkohë që plumbi mbetet ende në tru. Mjekët deklaruan se ajo do të përballet me probleme të përhershme fizike dhe njohëse.

Sot, në Gjykatën e Lartë Old Bailey, 33-vjeçari Javon Riley u shpall fajtor për tentativë vrasjeje ndaj tre burrave të shënjestruar dhe për shkaktim dëmi të rëndë trupor me dashje ndaj vajzës. Megjithatë, Riley refuzoi të zbulojë identitetin e personit që qëlloi me armë, ndërsa Scotland Yard ka ofruar një shpërblim prej 15,000 paundësh për çdo informacion që çon në kapjen e autorit.

Nëna e vajzës tha: “Ky nuk ishte një aksident. Edhe pse vajza jonë nuk ishte objektivi, qëllimi i tyre ishte të vrisnin. Është brutale dhe çnjerëzore. Tani ajo jeton me një pllakë titani në kafkë dhe një plumb në tru, e paaftë të luajë si bashkëmoshatarët e saj.”

Tre burrat e shënjestruar – Nasser Ali (43 vjeç), Kenan Aydogdu (45) dhe Mustafa Kiziltan (35) – u plagosën rëndë dhe i përkisnin bandës Hackney Turks. Policia britanike beson se atentati ishte porositur nga rivalët e tyre, banda Tottenham Turks, e përfshirë në një konflikt gjakatar që ka shkaktuar mbi 20 vrasje në dy dekadat e fundit.

Kreu i Tottenham Turks, Izzet Eren, u vra në Moldavi vetëm gjashtë javë pas sulmit në Londër, pasi kishte ikur nga një burg në Turqi. Ndërsa më 6 gusht, një anëtar i lartë i Hackney Turks, Erdal Ozmen, u qëllua për vdekje vetëm pak metra nga vendi i atentatit të vajzës.

Eksperti i kriminologjisë Mahmut Cengiz deklaroi se përplasjet do të vazhdojnë: “Nëse arrin të vrasësh një lider bande, do të thotë se je grupi më i fuqishëm. Presim një reagim të ashpër.”

Riley, i lindur në Xhamajka dhe me një histori të gjatë kriminale që nga viti 2008, pranoi se kishte ndihmuar në vëzhgimin dhe transportin e autorit të armatosur. Ai pretendoi se mendonte se bëhej fjalë për një grabitje, për të cilën do të paguhej 40,000 paund. Dënimi i tij do të shpallet më 12 shtator.