FLASH :

Policia bllokon qendrën e Tiranës, PD proteston për “masakrën zgjedhore” të 11 majit

Teksa Partia Demokratike kishte paralajmëruar zhvillimin e një proteste pranë Bulevardit të Ri kundër asaj që e quan “masakra zgjedhore e 11 majit”, autoritetet kanë ndërhyrë me masa të forta sigurie duke mos lejuar zhvillimin e saj.

Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ka dhënë leje për protestën, por ka rrethuar të gjithë qendrën e Tiranës, duke vendosur gardhe metalike dhe forca të shumta policore për të ndaluar çdo përpjekje për tubim. Masat përkojnë edhe me mbajtjen e një samiti evropian në kryeqytet.

Rruga ‘Fortuzi’ dhe kryqëzimi pranë Ministrisë së Drejtësisë janë bllokuar tërësisht nga forcat e rendit, duke ndaluar qasjen e qytetarëve dhe protestuesve drejt sheshit qendror.

Sipas PD dhe liderit të saj, Sali Berisha, protesta ishte një reagim i domosdoshëm ndaj manipulimit masiv të votave më 11 maj, ku sipas saj, mazhoranca ka tjetërsuar vullnetin e qytetarëve përmes makinacioneve dhe presioneve ndaj administratës zgjedhore.

Partia Demokratike e cilëson ndërhyrjen e Policisë si një akt të rëndë antikushtetues që cenon të drejtën për tubim dhe protestë paqësore. Ndërkohë, nga ana tjetër, autoritetet justifikojnë bllokimin e qendrës me nevojën për siguri maksimale gjatë zhvillimit të samitit.