FLASH :

Policia bionde iu mat zhurmat lokaleve në Durrës, kërcasin gjobat

Në kuadër të masave për garantimin e sigurisë dhe qetësisë publike gjatë sezonit turistik, strukturat e Policisë së Durrësit kanë intensifikuar kontrollet në zonat turistike të qytetit bregdetar, duke u përqendruar veçanërisht te ndotja akustike nga muzika e lartë në lokalet e natës. Një efektive bionde e policisë është bërë protagoniste e këtyre inspektimeve, duke tërhequr vëmendjen, ndërsa përdorte matësin e zhurmës për të kontrolluar nivelin e decibelëve në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Kontrollet janë zhvilluar mbi bazën e hartëzimit të zonave problematike dhe janë mbështetur në ligjin nr. 9774, datë 12.07.2007, “Për administrimin e zhurmës në mjedis”. Gjatë këtyre ditëve, janë testuar disa subjekte që operojnë në fushën e argëtimit në zonat më të frekuentuara të Durrësit. Matjet e realizuara deri tani kanë rezultuar në përputhje me kufijtë e lejuar, por policia ka paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje.

Përveç matjes së nivelit të zhurmës, grupet e kontrollit kanë verifikuar edhe respektimin e orarit të lejuar për përdorimin e muzikës në ambiente të hapura, i cili sipas ligjit është nga ora 11:00 paradite deri në 24:00 të natës. Çdo shkelje e këtij orari do të penalizohet me gjoba, sipas përcaktimeve ligjore.
Policia ka theksuar se këto masa janë pjesë e një fushate sensibilizuese dhe ndëshkuese njëkohësisht, për të siguruar një bashkëjetesë të qetë mes turizmit dhe komuniteteve vendase. Aksioni pritet të vijojë gjatë gjithë sezonit veror, me kontrolle të herëpashershme dhe pa paralajmërim.