Policia Bashkiake e Vlorës ka ndërmarrë një aksion kundër vendosjes së paligjshme të tabelave reklamuese përgjatë shëtitores së Lungomares. Gjatë operacionit janë sekuestruar dhjetëra stenda dhe tabela të cilat rezultonin të vendosura pa leje dhe në kundërshtim me rregulloret bashkiake.
Aksioni, sipas autoriteteve, do të vijojë edhe në ditët në vijim në të gjitha zonat e qytetit, me qëllim disiplinimin e hapësirave publike dhe respektimin e ligjit nga bizneset dhe individët. Policia Bashkiake u bën thirrje të gjithë subjekteve të pajisen me autorizimet përkatëse dhe paralajmëron masa ndëshkimore ndaj shkelësve.