Një avion i Air India që udhëtonte drejt Londrës, Gatwick, me 242 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi në bord, është rrëzuar pak sekonda pas ngritjes nga Aeroporti i Ahmedabadit, në shtetin veriperëndimor indian të Gujarat-it.
Fluturimi AI171, një Boeing 787 Dreamliner, u përplas në tokë në zonën e populluar Meghani të qytetit, vetëm disa minuta pas largimit nga pista në orën 13:17 me orën lokale.
Pamje tronditëse të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë copa të trupit të avionit dhe bishtin e tij të dalë jashtë një ndërtese të rrënuar. Zjarrfikësit në vendngjarje janë parë duke shuar me ujë mbeturinat që ende nxirrnin tym, ndërsa fotot dhe videot e banorëve të tronditur nga Meghani tregojnë një kolonë të madhe tymi të zi që ngrihet nga vendi i përplasjes.
Shkaku i rrëzimit nuk është ende i njohur, por një video e postuar në rrjetet sociale duket se tregon avionin duke u ulur në mënyrë të kontrolluar, me hundën të ngritur dhe rrotat e uljes të hapura.
Shërbimet e emergjencës janë në rrugë për në vendin e ngjarjes, me shpresën për të gjetur të mbijetuar, por përmasat e dëmeve të dukshme në pamjet e para sugjerojnë se ka të ngjarë të ketë viktima të shumta.
Fluturimi raportohet të ketë arritur një lartësi prej vetëm 625 këmbësh (rreth 190 metra) përpara se të niste rënien, sipas shërbimit të ndjekjes së fluturimeve Flightradar24, i cili deklaroi se sinjali i transponderit të avionit u ndërpre vetëm pak sekonda pas ngritjes nga pista.

“Marrja e fundit e sinjalit nga avioni ndodhi në orën 08:08:51 UTC, vetëm disa sekonda pas ngritjes,” tha Flightradar24.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Indisë konfirmoi se avioni dërgoi një thirrje emergjente mayday pak çaste përpara rrëzimit. Kryetari i Air India, Natarajan Chandrasekaran, u shpreh në një deklaratë emocionuese:
“Me dhimbje të thellë konfirmoj se fluturimi Air India 171 nga Ahmedabad drejt Londër Gatwick është përfshirë sot në një aksident tragjik. Mendimet dhe ngushëllimet më të sinqerta janë me familjet dhe të dashurit e të gjithë të prekurve nga kjo ngjarje shkatërruese. Për momentin, fokusi ynë kryesor është mbështetja ndaj të dëmtuarve dhe familjeve të tyre. Po bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të ndihmuar ekipet e emergjencës në vendin e ngjarjes.”
Aeroporti i Gatwick konfirmoi më pas se fluturimi që duhej të ulej në orën 18:25 kishte pësuar aksident menjëherë pas ngritjes.
Ekspertët flasin për incident të madh – kushte ideale moti në momentin e rrëzimit
Eksperti i aviacionit Julian Bray tha për MailOnline:
“Është një Boeing Dreamliner që është rrëzuar – ende nuk është e qartë nëse ka arritur të nxirret dikush nga avioni. Nëse avioni është ulur me përplasje dhe janë përdorur rrëshqitëset e emergjencës, atëherë ka një mundësi që të shpëtohen njerëzit brenda 90 sekondave. E di që zjarrfikësit ndodhen në vend – kjo është një ngjarje e nivelit të lartë. Është zhgënjyese që bëhet fjalë për një Dreamliner, pasi është një nga modelet më moderne të Boeing. Nuk përjashtohen problemet e sigurisë, por gjithçka në këtë pikë mbetet spekulim.”
Kushtet atmosferike në kohën e aksidentit ishin të qeta, me qiell të kthjellët dhe erë me shpejtësi vetëm 7 nyje (rreth 13 km/h).
Agjencia indiane e lajmeve ANI raportoi se sipas burimeve të policisë, në bord ndodheshin 242 persona.

Ministri i aviacionit të Indisë, Ram Mohan Naidu, deklaroi:
“Jam i tronditur dhe i shkatërruar nga lajmi për rrëzimin e avionit në Ahmedabad. Jemi në gjendje gatishmërie maksimale. Po ndjek personalisht situatën dhe kam dhënë urdhra për ndërhyrje të shpejtë dhe të koordinuar nga të gjitha strukturat e aviacionit dhe emergjencës. Ekipet e shpëtimit janë në terren dhe po bëhet gjithçka për të garantuar ndihmën mjekësore dhe mbështetjen për të prekurit. Lutjet e mia janë me të gjithë ata që ishin në bord dhe familjet e tyre.”
Air India ndau një deklaratë të shkurtër në rrjetin social X:
“Fluturimi AI171, Ahmedabad–Londër Gatwick, u përfshi në një incident sot, më 12 qershor 2025. Jemi duke verifikuar detajet dhe do të ndajmë informacione të mëtejshme sa më parë.”

Një tjetër tragjedi në serinë e zezë të Boeing – kujtime nga aksidentet e kaluara fatale
Kjo tragjedi është më e fundit në një seri fatkeqësish që përfshijnë avionët Boeing. Vetëm gjashtë muaj më parë, një Boeing 737 u rrëzua në Korenë e Jugut, duke shkaktuar vdekjen e 179 personave.
Në tetor 2018, fluturimi Lion Air 610 u rrëzua në Detin e Javës pas ngritjes nga Xhakarta, duke vrarë të gjithë 189 personat në bord.
Në mars 2019, fluturimi Ethiopian Airlines 302 u rrëzua disa minuta pas nisjes nga Addis Ababa, me 157 viktima në total.