FLASH :

Po rrezikonte jetën e pushuesve në Velipojë, sekuestrohet dhe gjobitet me 1 mln lekë skafi

Një 32-vjeçar është gjobitur me 100 000 lekë të rinj dhe i është bllokuar mjeti lundrues, pasi është kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë për pushuesit në zonën bregdetare të Velipojës, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre.

Në njoftimin zyrtar të Policisë Kufitare thuhet se ngjarja u bë e ditur fillimisht përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku shfaqej një mjet lundrues tip skaf duke lëvizur në mënyrë të rrezikshme pranë pushuesve. Menjëherë pas konstatimit të rastit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë identifikuar autorin, shtetasin A. M., 32 vjeç, dhe kanë ndërhyrë për të ndaluar shkeljen.

Përveç ndalimit të menjëhershëm, policia ka marrë masa administrative ndaj drejtuesit të mjetit, duke i vendosur një gjobë prej 100 000 lekësh të rinj, në zbatim të ligjit nr. 43/2020, neni 24, germa “c”. Gjithashtu, është kryer edhe bllokimi i skafit të përdorur në këtë manovër të rrezikshme.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër u bën thirrje të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e qarkullimit detar dhe perimetrat e sigurisë të përcaktuara për pushuesit, në mënyrë që të shmangen incidentet apo situatat që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve në plazhe.

Policia e Shtetit thekson se do të ketë zero tolerancë ndaj çdo shkeljeje që cenon sigurinë publike dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo rreziku në det përmes numrit të emergjencës 112. Çdo informacion do të trajtohet me përgjegjësi dhe do të pasohet me ndërhyrje të menjëhershme në përputhje me ligjin.