FLASH :

Po hynin në Shqipëri, arrestohen në kufi maqedonasi i kërkuar nga Gjermania për mashtrim dhe kolonjari i dënuar për armëmbajtje pa leje! Një i tretë përdori vulë false

Dy persona të kërkuar, njëri nga Gjermania për mashtrim dhe tjetri në Shqipëri i dënuar për armëmbajtje pa leje, janë arrestuar sot në doganën e Qafë-Thanës dhe Kapshticës, kurse një i tretë u kap teksa tentonte të kalonte kufirin duke përdorur pasaportë me vulë të falsifikuar.

Policia Kufitare e Korçës konfirmoi të dyja ndalimet, duke sqaruar se të arrestuarit, njëri nga Maqedonia e Veriut i kërkuar nga autoritetet gjermane dhe tjetri nga Selenica, po tentonin të hynin për në Shqipëri.

I pari është kapur në Qafë-Thanë, duke hyrë për në Shqipëri, i kërkuari F. A., 32 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut, pasi nga verifikimet rezultoi i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli gjerman, për veprën penale të “mashtrimit”.

“Interpol Tirana do të kryejë procedurat për ekstradimin e tij në Gjermani”, njoftoi policia vendore.

Ndërsa në Kapshticë, po në hyrje të vendit nga Greqia, u kap E. K., 21 vjeç, banues në fshatin Selenicë e Pishës në Ersekë, pasi Gjykata e Korçës e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.

“Gjithashtu,  u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin I. A., 55 vjeç, banues në fshatin Plasë, pasi në Kapshticë, në dalje të vendit, gjatë verifikimit të dokumentacionit, në pasaportën e tij është konstatuar një vulë e dyshuar e falsifikuar”, tha policia.