Një gjendje e rëndë shëndetësore ka kapluar mbrëmjen e djeshme brenda qelisë së tij në burgun 313 Nuredin Dumanin. Situata ka ngritur në alarm si në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, ashtu edhe kreun e SPAK, Altin Dumanin.
Burime nga institucioni i vuajtjes së dënimit bëjnë me dije se Dumani, i cili ka pranuar përfshirjen në më shumë se 13 atentate me armë dhe disa grabitje të dhunshme në qytete të ndryshme të vendit, ishte duke konsumuar karkaleca në dhomën e tij kur papritur iu shfaqën probleme të forta me zemrën. Rrahjet e çrregullta i shkaktuan humbje të ekuilibrit dhe më pas rënie të menjëhershme të fikti.
Policët e burgut, të vendosur me shërbim në sektorin ku mbahen dëshmitarët më të rëndësishëm të SPAK, e vunë menjëherë re situatën dhe njoftuan eprorët e tyre.
Brenda pak minutash, nisën telefonata të njëpasnjëshme mes prokurorëve të SPAK dhe drejtuesve të QSUT, ndërsa forca të shumta policie dhe trupa të RENEA-s u angazhuan për ta transportuar urgjentisht në spitalin “Nënë Tereza”.
Sipas burimeve për mediat, Dumani mbërriti në Urgjencën Qendrore në gjendje të pavetëdijshme, pa mundur të fliste. Mjekët, sipas protokollit, kryen menjëherë matjen e pulsit, rrahjeve të zemrës dhe urdhëruan një sërë skanime në kokë, bark dhe gjoks, të cilat tashmë janë të pasqyruara në kartelën e tij mjekësore.
Pas procedurave fillestare, Dumani u transferua në reanimacionin e Kirurgjisë, ku iu aplikua një formulë mjekësore për ta nxjerrë nga gjendja kritike deklaron gazetari Elton Qyno. Ai u vendos në një dhomë të veçantë, të cilësuar “VIP”, ndërsa spitali u rrethua nga forca të shumta të burgjeve, RENEA-s dhe policisë së mbrojtjes së dëshmitarëve.
Gjatë natës, në dhomë u lejuan të hynin vetëm një neurolog që po ndjek nga afër rastin, një zyrtar i Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe oficeri i BKH-së, Alvaro Noga.
Ky i fundit mundi të bisedonte me Dumanin vetëm pasi mjeku konfirmoi se ai kishte rifituar ndjenjat dhe kishte filluar të artikulonte disa fjalë. Në këtë bisedë, Dumani ka sqaruar se problemet shëndetësore i nisën pikërisht në momentin që po konsumonte karkaleca në qeli.