Në Vlorë, turizmi nuk është më vetëm çështje fundjave, por një ritëm i përditshëm që ka pushtuar qytetin bregdetar tashmë në kulmin e sezonit veror. Me qindra pushues, si vendas ashtu edhe të huaj, po mbërrijnë çdo ditë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë apo nga vende të tjera të botës, duke shfrytëzuar periudhën e pushimeve për të shijuar detin, klimën dhe bukuritë natyrore që ofron jugu i vendit.
Plazhet më të preferuara mbeten ato në jug, ku spikasin Jala, Palasa, Himara dhe veçanërisht Dhërmiu – një destinacion që po njeh një fluks të madh vizitorësh falë edhe hapjes së tunelit të Llogarasë, tashmë funksional dhe pa tarifë për pushuesit. Përveç plazheve të pastra dhe klimës së favorshme, turistët gjejnë në këto zona edhe trashëgiminë kulturore dhe historike të fshatrave turistikë si Dhërmiu, ku kulinaria tradicionale dhe mikpritja lokale janë vlera të shtuara. Ky kombinim i natyrës, relaksit dhe kulturës po bën që jugu të jetë i mbushur çdo ditë e jo më vetëm në fundjavë.







