Një qytet bregdetar dikur i njohur për qetësinë dhe bukurinë, Bournemouth po përjeton një transformim tronditës që banorët e përshkruajnë si “shkatërrim civilizimi”. Të rinj të “egër” në skuterë elektrikë, me balona të mbushura me gaz narkotik dhe sjellje brutale, kanë terrorizuar zonën, duke urinuar mbi kasollet dhe shpërfillur çdo normë publike.
Banorët lokalë, disa prej të cilëve kanë jetuar gjithë jetën në qytet, thonë se bregdeti është kthyer në një zonë pa ligj, ku trafiku i drogës, krimet me thikë dhe sjellja antisociale ndodhin hapur. Era e kanabisit përhapet përgjatë shëtitores, ndërsa graffiti mbulon muret dhe sinjalistikën turistike.
Simboli grotesk i kësaj dekadence: një bong i futur në rërën e artë të plazhit si “shpata e mbretit Artur”. Në të njëjtin vend ku turistët hanë darka luksoze në restorantin Ivy, vetëm pak metra më tutje, kabina telefonike përdoret si tualet publik.
Deklaratat e banorëve janë alarmante:
- “Të rinjtë janë bërë të paqeverisshëm. Kam parë vetë njerëz që urinojnë prapa kasolles sime”, thotë një banor.
- “Shumë biznese të vogla po mbyllen. Tani kemi vetëm berberë, kafene dhe sallone thonjsh.”
- “Shikoj çdo ditë sjellje të papranueshme në plazh, nga zhurma ekstreme te skuterët që kalojnë me shpejtësi pranë fëmijëve.”
- “Njerëzit grabitin senduiçe dhe kutitë e bamirësisë pa frikë, sepse policia nuk ndërhyn për vjedhje nën 70 paund.”
Kryebashkiakja në largim, Anne Filer, tha:
“Bournemouth dikur ishte një kurorë e turizmit viktorian. Tani duket si një kazan mbeturinash, me banka të thyera, xhama të copëtuar, erë marihuane dhe shkurre të pa mirëmbajtura.”
Pronari i një furre lokale u shpreh:
“Klientët tanë vjedhin si të ishim një vetëshërbim. Nuk kemi çfarë të bëjmë. Policinë s’e shqetëson nëse dëmi është i vogël.”
Reagimi i Policisë:
Shefja e policisë, Heather Dixey, u përpoq të qetësojë publikun: “Po e trajtojmë me serioz kriminalitetin dhe sjelljen antisociale. Patrullat tona janë shtuar, veçanërisht në zonat turistike. Krimi po bie dhe reagimi i komunitetit ndaj pranisë së policisë ka qenë pozitiv.”
Megjithatë, për shumë banorë, këto masa janë të pamjaftueshme. Ata i bëjnë thirrje autoriteteve për investime reale, pastrim të qytetit dhe ndëshkim të shkelësve të ligjit.
Një qytet që dikur simbolizonte pushimet perfekte për britanikët dhe turistët europianë, sot gjendet në një krizë identiteti. Qytetarët nuk kërkojnë më shumë restorante të shtrenjta – kërkojnë rend, siguri dhe dinjitet për hapësirat publike. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë Bournemouth mund të humbasë përfundimisht statusin e një prej perlave të jugut anglez.

















