Një konflikt i përsëritur mes fqinjësh në fshatin Gos të Rrogozhinës ka përfunduar në dhunë me armë zjarri paraditen e sotme. Rreth orës 10:15, shtetasi Shpëtim Osma dyshohet se ka plagosur me pistoletë fqinjët e tij, çiftin S.D. dhe N.D., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pas një sherri të përsëritur për qenin e çiftit, që sipas autorit ishte bërë burim shqetësimi për shkak të lehjeve dhe zhurmës në lagje.
Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe rrethoi zonën ku mendohej se ishte fshehur autori. Në mbështetje të forcave lokale shkuan edhe forcat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës. Pas disa orësh kërkimi, autori i dyshuar u vetëdorëzua. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje që ka tronditur komunitetin lokal.







