FLASH :

Sherri për tokën, shkak i plagosjes së dyfishtë në Sarandë. Policia shpall në kërkim 4 persona. Arrestohet për armëmbajtje njëri nga të plagosurit

Një konflikt për pronësinë e një sipërfaqeje toke në Sarandë ka përfunduar në një ngjarje të rëndë me armë zjarri, ku dy të rinj nga Kamza, Gëzim Hoxhaj (32 vjeç) dhe Ernest Lama (24 vjeç), mbetën të plagosur dhe u transportuan në Spitalin e Traumës në Tiranë pas ndërhyrjes së parë në Sarandë. Ngjarja ndodhi pasditen e 17 korrikut, kur palët u takuan për të sqaruar pretendimet mbi kufijtë e tokës.

Autorët e dyshuar janë vëllezërit Ramadan dhe Erjon Canaj, përkatësisht 43 dhe 35 vjeç, të cilët u larguan menjëherë pas të shtënave dhe janë shpallur në kërkim. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një çantë me një pistoletë dhe katër gëzhoja, ndërsa kamerat e sigurisë konfirmuan përdorimin e armës nga njëri prej vëllezërve. Të dy të dyshuarit kanë precedentë penalë, përfshirë akuza për vrasje, armëmbajtje pa leje dhe dhunë ndaj punonjësve të shtetit. Hetimet vijojnë.

Policia e Sarandës ka zbardhur konfliktin me armë në Sarandë të një dite më parë, ku mbetën të plagosur dy të rinj nga Kamza.

Sipas policisë, në kërkim janë shpallur 4 persona si të përfshirë.

Gjithashtu në pranga është vënë edhe njëri prej të plagosurve, pasi iu gjet një armë.

Njoftimi i Policisë Sarandë:

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme, në Sarandë, ku dy shtetas mbetën të plagosur me armë zjarri.

Shpallen në kërkim 4 shtetas të përfshirë në këtë ngjarje, njëri prej të cilëve tentoi të vriste me armë zjarri dy shtetasit.

Vihet në pranga edhe një prej të plagosurve, pasi gjatë kontrollit iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë.

Në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 17.07.2025, rreth orës 15:00, në një lokal, në lagjen nr. 3, Sarandë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ku si rezultat u shpallën në kërkim katër shtetas:

            •          R. Z., 43 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë.

            •          E. C., 36 vjeç, A. M., 43 vjeç, dhe K. J., 31 vjeç, të tre banues në Sarandë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se për motive të dobëta, këta shtetas janë konfliktuar fizikisht me shtetasit G. H., 33 vjeç, dhe E. L., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe gjatë këtij konfliktit, shtetasi R. Z. dyshohet se ka qëlluar drejt tyre me armë zjarri, duke i plagosur rëndë të dy. Shtetasit G. H, dhe E. L,  ndodhen në Spitalin e Traumës, Tiranë, nën kujdesin e mjekëve.

Gjatë hetimeve dhe kontrolleve të ushtruara në kuadër të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, shtetasit G. H. iu gjet dhe iu sekuestrua një armë zjarri pistoletë. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Në vendngjarje u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 gëzhoja arme zjarri, një armë zjarri pistoletë tip “Beretta” dhe një krehër me 9 fishekë.

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.