FLASH :

Plagosja me thikë në Vlorë, autori ende në arrati, të rinjtë kishin konsumuar alkool përpara konfliktit

Një sherr mes dy të rinjve ka përfunduar me plagosjen e një 24-vjeçari në fshatin Llakatund të Vlorës, pasditen e së martës. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, pas një konflikti verbal që degjeneroi në dhunë fizike, ku njëri prej personave ka goditur me thikë shtetasin E. M., duke i shkaktuar plagë të rënda në bark.

I riu u transportua me urgjencë në spitalin rajonal të Vlorës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, sipas burimeve spitalore. Ndërkohë, Policia e Vlorës ka identifikuar autorin e dyshuar të ngjarjes si shtetasin G. Rr., 25 vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

Shërbimet e Policisë po vijojnë krehjen e zonës për kapjen e autorit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit. Sipas të dhënave paraprake, sherri ka ndodhur në një lokal të zonës ku të rinjtë kishin konsumuar alkool përpara konfliktit.

Identitetet e plota të personave të përfshirë nuk janë bërë ende publike.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:00 më 22.07.2025, në fshatin Llakatund, gjatë një konflikti për motive të dobëta, është goditur me mjet prerës shtetasi E. M., 24 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim kapjen e autorit, i cili dyshohet se është shtetasi G. Rr., 25 vjeç.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.