Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga të shtënat me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në Borsh. Burime bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur i riu Erald Shullazi, i cili ka marrë një plumb në shpatull dhe një tjetër në këmbë. Shullazi ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas burimeve, policia ka vënë në pranga autorin e ngjarjes, Hekuran Çelaj, ndërsa në kërkim është shpallur edhe një person tjetër i përfshirë në konflikt, me inicialet E.V. Shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta, ndërsa policia raporton për një konflikt për motive të dobëta.
Si ndodhi ngjarja?
Ora shënonte 02:20 kur Hekuran Çelaj u përfshi në një konflikt fizik për motive të dobëta me E.V., banues në Tiranë. Pas këtij momenti, Çelaj është larguar dhe më pas është rikthyer me një armë zjarri automatike, duke qëlluar në drejtim të automjetit që drejtohej nga Erald Shullazi, 33 vjeç. Ky i fundit mori dy plumba, një në shpatull dhe një në këmbë. Gjithashtu, dyshohet se Hekuran Çelaj ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A.D., 43 vjeç.
Policia arrestoi në flagrancë Hekuran Çelajn për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi E.V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë. Policia vijon punën për gjetjen e armës së përdorur në këtë ngjarje, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt.