FLASH :

Pjesë e grupit të Gjergj Cukalit, sekuestrohen pasuritë e Paris Prengës dhe familjes së tij

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar pasuritë e Paris Prengës (pjesë e grupit të Gjergj Cukalit) dhe familjarëve të tij, i cili është dënuar për disa vepra penale, si vrasje dhe për pjesëmarrje në grupe kriminale.

Nga hetimet ka rezultuar se Paris Prenga ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë e tij të paluajtshme i ka fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale ku ka marrë edhe dënimin përkatës.

Prengës i janë sekuestruar një apartament, një garazh.një pasuri e llojit “njësi” dhe një pikë servisi makinash.

Kujtojmë se Paris Prenga është dënuar me 18 vite burgim për atentatin ne tentativë ndaj Artion Bylykut.

Njoftimi Prokurorisë:

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u sekuestruan pasuritë e shtetasit P.P., i dënuar për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ e mbetur në tentativë, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ dhe ‘Grup i strukturuar kriminal’, parashikuar nga nenet 78/2-22, 152, 278, 28/4 dhe 333/a të Kodit Penal.

Nga hetimet e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, të zhvilluara mbi bazën materialit të referuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezultoi se shtetasi P.P., ka një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se pasuritë e tij të paluajtshme i ka fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale ku ka marrë edhe dënimin përkatës.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në kuadër të hetimit pasuror nr.05/P, dt 02.07.2025 kërkoi sekuestrimin e pasurive të tij dhe familjarëve, për shkak se ato nuk justifikohen me burimet ligjore, si më poshtë:

Pasuria me nr.3/708+4-8, vol.23, fq/120, Z.K 8130, e llojit “Apartament” me sip.97.7 m2;

Pasuria me nr.3/708-G2, vol.23, fq/3, Z.K 8130, e llojit “Garazh” me sip.18.95 m2;

Pasuria me nr.1/312-N20, vol.24, fq/232, Z.K 8370, e llojit “Njësi” me sip.256.1 m2; si dhe

Aktivitetin e subjektit “Auto Art Service”.