Gjermania dhe Ukraina duan të përfitojnë nga një bashkëpunim i ri për armatimet. Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius deklaroi në Kiev ndihma shtesë në volum miliardash për Ukrainën.
Ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius i ka premtuar ndihma të tjera miliardëshe Ukrainës në fushën ushtarake për armatime. Me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyj ai ra dakord për prodhimin e përbashkët të armatimeve. Pistorius tha gjatë vizitës në Kiev, se synohet që Ukraina të mbështetet shpejt me sisteme. Krahas shtatë miliardë eurove të miratuara muajt e fundit do të vihen në dispozicion edhe 1,9 miliardë euro. Me këto para mund të paguhen pjesërisht sistemet e armatimit me rreze të madhe veprimi, të cilat do të prodhohen në Ukrainë.
“Këto sisteme mund të vihen në muajt e ardhshëm në dispozicion”, tha Pistorius në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Zelenskyj. “Sa ka të bëjë me prodhimin, ne do të flasim edhe për prodhimin në Ukrainë si dhe në Gjermani”, tha Zelenskyj gjatë konferencës së shtypit. Po ashtu do të bisedohet edhe “për armët tona me rreze të gjatë veprimi, dronët tanë dhe teknologjinë e raketave ukainase, për dronë si dhe për mundësi të tjera.

Pistorius: Rusia nuk ka interes për zgjidhje paqësore
Ministri i Mbrojtjes Pistorius mbërriti në mëngjesin e së enjtes (12.06.2025) në kryeqytetin e Ukrainës. Me të mbërritur në stacionin e trenit në Kiev, ministri gjerman i Mbrojtjes dënoi intensifikimin e sulmeve ajrore të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilat “janë jashtëzakonisht të fuqishme dhe të rrezikshme me një numër të madh kokash shpërthyese dhe sulme me dronë.” “Ky është një sinjal i qartë nga Moska: Nuk ka interes për një zgjidhje paqësore ndërkohë, por po sulmohen me ashpërsi të vazhdueshme e madje gjithnjë e më shumë sektorë civilë në Ukrainë”, vuri në dukje Pistorius. Ai nënvizoi, se udhëtimi i tij në Kiev tregon, që edhe qeveria e re vazhdon të jetë në krah të Ukrainës.