Policia e Tiranës ka finalizuar një operacion hetimor për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të ndodhura në kryeqytet gjatë muajve të parë të vitit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin Nr. 4, në bashkëpunim me Komisariatin Nr. 1 dhe Nr. 2, kanë identifikuar dhe kapur dy shtetas të dyshuar si autorë të 10 rasteve të vjedhjes së biçikletave dhe motomjeteve elektrike në zona të ndryshme të qytetit.
Në pranga ka rënë shtetasi A. H., 34 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetasi tjetër, F. T., po ndiqet penalisht në gjendje të lirë. Të dy rezultojnë të dënuar më parë për vjedhje. Nga hetimet dhe verifikimi i pamjeve filmike, rezulton se vjedhjet janë kryer gjatë muajve janar, prill, maj dhe qershor, kryesisht në orët e natës. Hetimet vijojnë për të zbardhur raste të tjera të ngjashme ku dy të dyshuarit mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.







