Presidenti amerikan po e mban botën pezull. Pak ditë më parë ai vendosi tarifa doganore për shumë vende, tani pason ndryshimi befasues i kursit të Donald Trump dhe tërhiqen tarifat e vendosura. Vendimi erdhi pas trazirave të mëdha në tregjet e aksioneve dhe financiare në mbarë botën. Presidenti i SHBA tani do t’i japë shumë vendeve një pauzë 90-ditore nga tarifat doganore. Ashpërsim ka vetëm me Kinën. Trump rriti tarifat për mallrat nga Kina ndërkohë tani në 125 për qind.
Tregjet e aksioneve reaguan me entuziazëm ndaj heqjes së kufizimeve të doganave, bursat u rritën masivisht pas një spirale të fortë rënieje. Madje u përfol, se investitorët mund të shisnin bono të qeverisë amerikane – një zhvillim shqetësues për të ardhmen e financave publike amerikane. Vëzhguesit e tregut spekulojnë se kjo mund të ketë sjellë vendimin për pezullimin e tarifave.
Tarifa 10% në fuqi
Megjithatë, për shumicën e vendeve do të vazhdojë të ekzistojë një tarifë e përgjithshme e importit prej dhjetë për qind. Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen e quajti ndryshimin e kursit të Trump si hap të rëndësishëm drejt stabilizimit të ekonomisë. “Kushtet e qarta dhe të parashikueshme janë thelbësore për thelbësore për funksionimin e zinxhirëve të tregtisë dhe furnizimit.” Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për negociata konstruktive me SHBA-në, me synimin për të siguruar një tregti pa probleme dhe reciprokisht të dobishme. Por politika doganore e presidentit të SHBA, Donald Trump, nga këndvështrimi i Francës, dëmton besimin tek dollari. Drejtuesi i Bankës Qendrore Franceze, Francois Villeroy de Galhau u shpreh se “ajo që ka ndodhur në ditët e fundit dhe javët kanë një ndikim negativ në besimin tek dollari amerikan”. Proteksionizmi dhe paparashikueshmëria janë gjithashtu faktorët negativë për ekonominë amerikane, tha Villeroy.

U vendos Trump nën presion?
Vetë presidenti e shpjegoi kthesën e papritur duke thënë se “njerëzit” ishin shqetësuar dhe ishin “pak të frikësuar”. Megjithatë, nervozizmi i vetë Trump mund të ketë luajtur gjithashtu një rol pasi qeveria amerikane kishte theksuar për ditë të tëra se tarifat nuk ishin diçka që mund të anulohej ose negociohej brenda ditëve ose javëve. Ekspertja amerikane e tregtisë, Laura von Daniels e Institutit Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë thotë se Trump duket se është vendosur nën presion të madh nga tregjet financiare, por edhe nga sipërmarrës individualë. Çmimet e aksioneve janë diçka që republikani e ndjek veçanërisht nga afër dhe që e prek.
Tregjet e aksioneve reaguan me një rritje të ndjeshme pas tërheqjes së tarifave doganore. Tregu i aksioneve, i matur nga indeksi i aksioneve S&P 500, ku përfshihen aksionet e 500 kompanive kryesore amerikane të tregtuara publikisht, rifitoi rreth katër trilion dollarë, ose 70 për qind të vlerës që kishte humbur në katër ditët e mëparshme të tregtimit. Komenti i Trump për këtë ishte, se “thonë se ishte dita më e madhe në historinë e financave”.
Ky vendim për pezullim erdhi pas një presioni të madh politik dhe ekonomik. Në një periudhë 18-orëshe të tensionuar, gjatë rënies dramatike të tregjeve financiare, Trump zhvilloi bisedime me senatorë republikanë, liderë të huaj përfshirë presidenten e Zvicrës Karin Keller-Sutter si dhe me figura të rëndësishme të botës financiare si CEO i JPMorgan Chase, Jamie Dimon. Të gjithë shprehën shqetësim për rrezikun e një recesioni global dhe i kërkuan Trumpit të tërhiqej nga qëndrimi i ashpër doganor, duke theksuar pasojat negative për tregun dhe reputacionin e SHBA-së.
Bisedat vendimtare nisën pas emisionit të Sean Hannity në Fox News, ku një grup senatorësh republikanë, përfshirë Lindsey Graham, Ted Cruz dhe të tjerë, folën hapur për dëmin që tarifat po i shkaktonin ekonomisë dhe i bënë apel Trumpit për të negociuar. Cruz e paralajmëroi se vijimi i kursit aktual do të nxiste vendet e tjera të përgjigjeshin me masa të ngjashme, duke e konsideruar këtë një rrezik për vendin dhe për shtetin e tij, Teksasin. Mëngjesin e së nesërmes, pas një sërë telefonatash dhe mesazhesh mediatike përfshirë një intervistë alarmuese të Dimon në Fox Trump vendosi të tërhiqej, duke ulur tarifat për shumë vende dhe duke lënë vetëm Kinën nën masa më të ashpra.
Trump u takua në Shtëpinë e Bardhë me senatorin Thune ndonëse burime pranë këtij të fundit thonë se nuk kanë diskutuar për tarifat dhe zhvilloi një telefonatë 25-minutëshe me presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter.
Trump ndoqi në Fox News një intervistë të CEO-së së JPMorgan Chase, Jamie Dimon, i cili prej ditësh kishte kritikuar politikën tregtare të Trumpit dhe paralajmëroi për rrezikun e një recesioni. “Kam një qasje të qetë, por mendoj se gjërat mund të përkeqësohen nëse nuk bëjmë përparim,” tha Dimon në televizion. Në atë moment, Trump nisi seriozisht të mendojë për tërheqjen dhe postoi në platformën e tij Truth Social: “Qëndroni të qetë,”
Kritika për kursin e paqëndrueshmë të Donald Trump
Por ka edhe kritika për ndryshimin e kursit të Trump – dhe akuza për tregti me informacione të brendshme. Pak para se Trump ta bënte publik ndryshimin e tij, ai ofroi një këshillë financiare në mediat sociale: “Kjo është një kohë e shkëlqyer për të blerë!!! DJT,” shkroi ai në platformën e tij Truth Social të mërkurën në mëngjes (me orën lokale). Më pak se katër orë më vonë, Trump tërhoqi disa nga tarifat që kishte vendosur më parë. DJT – inicialet e Trump – janë edhe simboli i aksioneve të Trump Media and Technology Group, kompania mëmë e platformës së mediave sociale Truth Social. Kompania u mbyll me një rritje prej 22.67 për qind pas njoftimit. 53 për qind e aksioneve të Trump në kompani, tani të mbajtura nga një “trust” i kontrolluar nga djali i tij i madh, Donald Trump Jr., u rritën me 415 milionë dollarë atë ditë.

Disa demokratë në Kongresin Amerikan e kritikuan këtë lojë të Trumpit. Senatori demokrat, Adam Schiff shkroi në X, se veprimet andej këtej të Trumpit ofrojnë “mundësi të rrezikshme për tregtim informacionesh të brendshme”. Schiff pyet:
“Kush në qeveri dinte paraprakisht për ndryshimin e fundit të Trump të kursit të politikës mbi tarifat? A ka blerë apo shitur dikush aksione dhe ka përfituar në kurriz të publikut?” Edhe demokratë të tjerë kërkuan sqarime. “Atij i pëlqen shumë, të ketë kontroll mbi tregjet, por më mirë të jetë i kujdesshëm”, tha kritiku i Trump dhe ish-avokati i etikës në Shtëpinë e Bardhë, Richard Painter, duke theksuar se ligji i letrave me vlerë ndalon tregtimin me informacione të brendshme.







