Në një vend ku qytetarët luftojnë çdo muaj për të paguar faturat e energjisë, qiranë dhe ndonjë thes miell, deputetët tanë të nderuar luftojnë… për të mos mbetur pa rimbursime!
Plot 1.5 milionë euro janë shpërndarë me dashuri për pagat e tyre mujore gjatë vetëm 5 muajve të parë të vitit. Po këtu nuk mbaron historia! Afro 730 mijë euro të tjera kanë ikur për shpenzime ekstra – sepse për t’i shërbyer vendit nevojitet benzinë, ushqim i mirë dhe telefona të ngrohtë.
Ndërsa populli i thjeshtë numëron lekët për një biletë autobusi, deputetët qajnë hallet me kombëtarizmin nëpër restorante brenda vendit – për të cilat marrin dieta mujore që variojnë nga 78 mijë deri në 150 mijë lekë të reja. Dhe për të mos u ndarë nga detyra as në rrugët e fshatit, karburanti s’mund të mungojë: rimbursim mujor nga 30-40 mijë lekë për naftën që djegin duke menduar për reformën zgjedhore.
Epo, telefoni është arma e tyre kryesore në këtë betejë për demokracinë – secili prej tyre rimbursohet me 17 mijë lekë çdo muaj për bisedat me zgjedhësit… ose me telefonat e tjerë. Por për krerët e komisioneve, ky telefon është i artë: Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Ina Zhupa dhe Zheni Gjergji raportojnë shpenzime që arrijnë deri në 20 mijë lekë. Ndërsa Agron Gjekmarkaj, hero i modesisë, renditet si kampion i kursimit me 2 deri në 7 mijë lekë në muaj – ndoshta komunikon me sinjale tymi.
Po për qiranë, do pyesni? Çmimet në Tiranë janë aq të larta sa 21 deputetë nuk përballojnë dot banesë në kryeqytet dhe përfitojnë ndihmë mujore prej 35 mijë lekësh. Kjo është prova që kriza e banesave prek këdo – madje dhe ata që marrin rreth 2 milionë lekë në muaj.
Megjithatë, në këtë lumë përfitimesh, duken dhe disa “shenjtorë” politikë: Sali Berisha, Lulzim Basha, Fatmir Xhafaj, Lindita Nikolla, Agron Shehaj, Bujar Leskaj, Pandeli Majko, Agron Çela e Etilda Gjonaj – që prej shtatorit nuk kanë dorëzuar asnjë faturë hoteli, dreke, apo karburanti. Modesti, frugalitet… apo një kartë tjetër në lojën e imazhit publik? Historia nuk na e thotë ende.
Në fund të ditës, populli mund të flejë i qetë: parlamenti i Shqipërisë është një vend ku njerëzit punojnë fort… të paktën për të marrë gjithçka që mundet nga buxheti i shtetit.







