Pas aksionit për shembjen e objekteve pa leje, banorët e Thethit janë ngritur në protestë. Ata kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit. Tensione me policinë.
Ashtu siç kishin paralajmëruar, banorët e Thethit kanë dalë këtë të mërkurë në protestë kundër aksionit të IKMT për prishjen e 40 objekteve pa leje të nisur prej së hënës. Ata kanë bllokuar urën në hyrje të fshatit, ndërsa ka pasur tensione edhe me forcat e policisë, të cilat janë prezente në vendngjarje.
Një sipërmarrës, i indinjuar, thotë se e papranueshme ndërmarrja e një aksioni të tillë në mes të sezonit. Duke e cilësuar si masakër, ai shprehet se me investimet e tyre i kanë dhënë ‘frymëmarrje’ zonës, dhe se shteti, me këto veprime, po largon turistët por edhe ata persona që kanë investuar në zona rurale.
“Të ardhmen tonë, fëmija jonë, ku do të rrimë, ku do të shkojnë turistat. Nuk i kemi vjedhur kujt. Çfarë të bëjmë ne nesër kur të shemben objektet, të bëjmë krime dhe të përfundojmë nëpër burgje dhe në rrugët e botës. Ju po provokoni turistin e Thethit, çfarë doni të promovoni shpopullimin e vendit, ku të ikë kjo rini. Fatmirësisht ka jetë në këtë vend falë mundit dhe sakrificave tona që kemi bërë. doni të na merni edhe këtë që na ka dhënë zoti. Nuk tolerohet, kjo është mundi, djersa dhe gjaku jonë. Po na e morët këtë, na merni jetën.”, u shpreh ai.
Një tjetër banor, i cili ndonëse invalid ka dalë të protestojë, shprehet me lot në sy se ka investuar në të gjithë kursimet e jetës. Ai deklaron se ka ndërtuar 5 shtëpia prej druri në tokën e tij të trashëguar prej shumë vitesh dhe siç shton ai, s’ka asnjë pëllëmbë beton.
“Të gjithë shpenzimet e jetës. Kam ndërtuar 5 shtëpia druri pa beton dhe asgjë në tokën time. Kemi kërkuar por thonë nuk ka leje, toka është e imja, është trashëgimtare brez pas brezi. Kërkojmë prej shtetit që të mos i prishë sepse dalim në rrugë të madhe. Veç me vdekur, nuk e di me çfarë ka me jetuar familja ime. Synojmë me na lënë shteti me jetuar. Vetë kanë thënë me investuar, unë nuk jam i ardhur por jam këtu. Toka është e jona 200 vjeçare. Ashtu siç kanë thënë kemi investuar, nuk ka asnjë pëllëmbë beton.”, thotë banori.
Protesta e tyre vjne pasi IKMT do të shembë 40 objekte në të gjithë fshatin, 5 prej të cilave, u shembën një ditë më parë. Të hënën u hoqën në zemër të Thethir edhe 12 kabina të vendosura pa leje, pas denoncimit të kryeministrit Edi Rama se ishin vënë në kundërshtim me ligjuin dhe se prokuroria e Shkodrës s’kishte nisur hetim.
Kryeministri Rama e quajti masakër të mirëfilltë ndërtimin e këtyre kabinave pa leje.Ndërtuesi, Prek Kodra është një emër shumë i njohur për drejtësinë.