Përplasje të dhunshme mes tifozëve të Manchester United dhe Tottenham në Spanjë, përpara finales së Europa League me vlerë 100 milionë paund

Tifozët e Manchester United dhe Tottenham janë përfshirë në përplasje të dhunshme në San Sebastian, rreth 78 kilometra larg Bilbaos, ku të mërkurën mbrëma do të zhvillohet finalja e Europa League – një ndeshje vendimtare për fatin e sezonit të dy klubeve angleze.

Rreth 80,000 tifozë anglezë kanë udhëtuar drejt Spanjës për këtë finale, që do të përcaktojë jo vetëm fituesin e trofeut, por edhe skuadrën që do të sigurojë pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm. Humbësi, përkundrazi, do të mbyllë një sezon të zhgënjyeshëm – me të dy ekipet që aktualisht renditen në vendin e 16-të dhe të 17-të në Premier League.

Për Tottenhamin, një fitore do të ishte trofeu i parë pas 17 vitesh, ndërsa për Manchester United do të ishte suksesi i parë nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim.

Dhuna në prag të finales

Atmosfera e tensionuar mes tifozëve ka shpërthyer në dhunë të martën mbrëma, përpara ndeshjes. Sipas mediave lokale spanjolle, veçanërisht El Diario Vasco, përplasja ndodhi rreth orës 21:20 me orën lokale, kur fillimisht u shkëmbyen sharje dhe ofendime, përpara se një goditje me grusht të rrëzonte një tifoz në tokë.

Pamjet filmike tregojnë se më pas u hodhën objekte, u përmbysën tavolina dhe situata u përshkallëzua, derisa ndërhyri policia. Nuk raportohet për arrestime apo lëndime serioze, ndërsa një ambulancë u thirr në vendngjarje për të dhënë ndihmën e parë, por nuk pati nevojë për shtrime në spital.

Shtimi i pranishmërinë policore

Pas ndërhyrjes së forcave të rendit, situata u qetësua dhe policia mbeti e pranishme në zonë për të garantuar sigurinë. Ngjarja ka ngritur shqetësime për mundësinë e përplasjeve të tjera në orët në vijim, veçanërisht duke pasur parasysh numrin e madh të tifozëve pa bileta që ndodhen në qytet.

Stadiumi San Mames në Bilbao, ku do të zhvillohet finalja, ka një kapacitet prej 53,000 vendesh. Të dy klubet kanë marrë nga 15,000 bileta secili, por mijëra tifozë të tjerë kanë udhëtuar pa bileta, ose kanë siguruar vend në zona të tjera të stadiumit.