FLASH :

Përplasje në ‘Qytet Studenti’/ Studentët dëbohen me dhunë, dhomat jepen me “mik”

Mesa duket, ‘miku’ duhet edhe për konviktet. Pas rastit të konviktit të Mjekësisë, një rast dhune është regjistruar dhe në konviktet e Qytet Studenti. Në një video të publikuar nga ‘JOQ’ shihet dhuna e Policisë së shtetit ndaj disa studentëve që kërkojnë një mundësi për të jetuar në këto konvikte.

Pas orëve të tëra pritje deri në orën 3 të mëngjesit, ku një pjesë e studentëve kishin shpresuar për të gjetur një dhomë, ata u dëbuan me dhunë, pa u dhënë asnjë sqarim dhe pa mundësi për të diskutuar vendimin.

Denoncimet e studentëve për presionin që ju bëhet nga drejtoria për të e paguar tarifën e plotë. Drejtori Olsi Shahini ka dhënë urdhër ose të paguajne tarifën e plotë ose të largohen nga konviktet. Sipas denoncimit vetëm 10 persona kanë përfituar qëndrim në konvikt, të tjerët janë nxjerrë forcërisht nga policia.

Ndërsa qeveria vazhdon të mburret me “reformat” në arsim dhe përmirësimin e kushteve për të rinjtë, realiteti që përjetojnë studentët në terren është krejtësisht i ndryshëm. Në Qytetin Studenti, konviktet që duhet të jenë strehë për mijëra të rinj me të ardhura të ulëta jepen shpesh në mënyrë selektive, përmes lidhjeve personale, njohjeve apo ndikimeve politike. Ndërkohë, ata që ngelen jashtë kësaj “liste të padukshme”, jo vetëm që përjashtohen padrejtësisht, por edhe përballen me përndjekje dhe dhunë kur kërkojnë të drejtën e tyre. Policia, në vend që të mbrojë studentët, përdor forcën për t’i nxjerrë jashtë, duke e kthyer një çështje sociale në një përplasje brutale.