Një përplasje e ashpër ka shpërthyer gjatë mbledhjes së fundit të kabinetit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, lidhur me vazhdimin e bllokadës ndaj Rripit të Gazës. Sipas raportimeve nga transmetuesi publik izraelit Kan, shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, gjenerali Eyal Zamir, është konfrontuar drejtpërdrejt me dy ministra të linjës së djathtë ekstreme, për shkak të refuzimit të tyre për të lejuar ndihmat humanitare drejt palestinezëve.
Sipas burimeve, Zamir ka ngritur zërin ndaj ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe ministres për Vendbanimet, Orit Strook, duke i paralajmëruar se politikat e tyre jo vetëm që janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por rrezikojnë sigurinë e vetë Izraelit. “Ju nuk e kuptoni çfarë po thoni. Po na rrezikoni të gjithëve. Nuk mund të urisim Gazën – kjo është kundër ligjit ndërkombëtar. Deklaratat tuaja janë të rrezikshme,” është shprehur gjenerali, sipas Kan.
Zamir kundër Netanyahut: paralajmërimet e injoruara
Zamir raportohet se e përsëriti të njëjtin paralajmërim edhe drejtpërdrejt për kryeministrin Netanyahu, duke i kërkuar që të ndryshojë kurs dhe të lejojë futjen e ndihmave emergjente. Megjithatë, kabineti i Netanyahut vendosi të mos e marrë parasysh rekomandimin e tij dhe të vazhdojë me bllokadën e plotë ndaj Rripit të Gazës.
Izraeli ka vendosur një bllokadë totale ndaj Gazës që nga fillimi i marsit, duke shkaktuar një krizë humanitare të përmasave alarmante, që prek mbi 2.3 milionë palestinezë. Refuzimi për të lejuar ndihmat po shkakton kritika të ashpra ndërkombëtare, ndërsa zyrtarë ushtarakë po paralajmërojnë për pasoja të rënda diplomatike dhe ligjore ndaj Izraelit.