Policia e Berlinit arrestoi 57 persona gjatë një proteste pro-palestineze që u zhvillua pranë marshit të Krenarisë, ku morën pjesë rreth 10.000 vetë. Protesta, e organizuar nga grupi “Internationalist Queer Pride for Liberation”, degjeneroi në përplasje fizike dhe përdorim të simboleve të ndaluara, duke çuar në plagosjen e 17 efektivëve të policisë.
Në një distrikt tjetër, 64 persona u arrestuan gjatë paradës së Krenarisë, ndërsa 20 të tjerë u ndaluan në një protestë të ekstremit të djathtë kundër saj.
Rritja e protestave pro-palestineze vjen mes tensioneve në rritje për ofensivën izraelite në Gaza, e cila sipas Ministrisë së Shëndetësisë palestineze ka lënë mbi 59.000 të vrarë. Gjermania ka nisur të shprehë kritika më të ashpra ndaj Izraelit dhe ka përmendur njohjen e shtetit palestinez si pjesë të zgjidhjes me dy shtete.