Avionë luftarakë rusë dhe të NATO-s janë përfshirë në një përplasje dramatike në ajër mbi Baltik, pas një përballjeje të ashpër për një tanker nafte që dyshohet se është pjesë e “flotës në hije” të Vladimir Putinit, e përdorur për të shmangur sanksionet ndërkombëtare.
Forcat estoneze u përpoqën të hipnin në bordin e një tankeri me flamurin e Gabonit, të quajtur Jaguar, duke përdorur një anije patrullimi, një helikopter dhe një mjet zbulimi detar. Anija ishte e destinuar për në Rusi dhe ishte sanksionuar nga Britania të premten.
Avionë të NATO-s, përfshirë MiG-29 polakë, u ngritën në ajër ndërsa anija refuzoi të bashkëpunonte. Nga ana tjetër, Rusia dislokoi një avion luftarak Su-35S, që sipas akuzave shkelu hapësirën ajrore të Estonisë për të mbrojtur Jaguar-in në arrati.

Pamjet dramatike tregojnë një avion polak të NATO-s që ndjek avionin rus mbi Gjirin e Finlandës, pjesë e Detit Baltik. Në një tjetër video, dëgjohet një zë rus nga ura e komandimit e tankerit që i quan estonezët “kllounë” ndërsa këta të fundit dështojnë të hipin në bord.
Incidenti ndodhi në një moment kur Putin nuk mori pjesë në bisedimet për paqe me Ukrainën në Stamboll, çka ngjalli kritika se lideri rus nuk është i interesuar për t’i dhënë fund konfliktit trevjeçar. Tankeri përfundimisht u ankorua pranë ishullit Gogland në Baltikun Lindor.


Zëra rusë nga tankeri dëgjohen duke thënë: “Ja si na presin me helikopterë… po na urdhërojnë të ankorojmë.” Dëgjohet edhe një mesazh i radios: “Këtu është luftanija estoneze Papa 6732. Kërkesa juaj është refuzuar. Ndryshoni kursin në 105 menjëherë.”
Dikush nga tankeri në gjuhën hindi thotë: “Ajo duket si droni ynë përpara…”, ndërsa një zë rus komenton: “Vazhdo, godite me gjithë shpejtësi… Çfarë bande kllounësh!”
Anija estoneze i afrohet tankerit, duke u përpjekur ta detyrojë të ndryshojë drejtim. Ndërkohë, një helikopter estonez A139 dhe një avion M-28 Skytruck rrethojnë anijen.
Mediat pro-Kremlinit si Izvestia e cilësuan situatën si fitore ndaj Perëndimit: “Pavarësisht forcës së treguar, autoritetet estoneze nuk arritën ta ndalonin anijen. Jaguar përfundimisht arriti në ishullin Gogland, territor nën kontrollin rus në Gjirin e Finlandës, dhe rifilloi rrugën drejt portit rus Primorsk.”
Sipas News-Pravda, “marinarët nga Republika Baltike (Estonia) tentuan dy herë të zbarkonin trupa nga një helikopter”.
Pas incidentit, Estonia thirri ngarkuarin me punë rus në Talin, Lenar Salimullin, duke i dorëzuar një notë proteste për shkeljen e hapësirës ajrore. Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna e quajti ngjarjen “shumë serioze dhe të papranueshme” dhe kërkoi sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Komandanti estonez Ivo Värk sqaroi se tankeri ndodhej pranë ishullit Naissaar, jashtë Tallinit, kur marina estoneze u përpoq të komunikonte me të. Ai tha se anija “po lundronte pa shtetësi” dhe Estonia kishte detyrim ligjor ta verifikonte. Megjithatë, për shkak se nuk kishte flamur shtetëror, nuk u përdor forcë për hipje.
Anija u shoqërua nga forcat estoneze deri në ujërat territoriale ruse. Ministri i Mbrojtjes Hanno Pevkur deklaroi se masa u mor për të mbrojtur infrastrukturën kritike të vendit dhe se “qëllimi u arrit”.

Jaguar, një tanker rreth 240 metra i gjatë, mendohet se ka ndryshuar emër dhe flamur në shkurt — tashmë quhet Argent dhe ka flamurin e Guinea-Bissau, sipas të dhënave të bazës Equasis.
Putini përdor një rrjet të madh tankerësh jo-rusë — të ashtuquajtur “flotë në hije” — për të anashkaluar sanksionet ndaj naftës.
Kjo përballje detare vjen vetëm një ditë pas shfaqjes së imazheve satelitore që tregojnë përqendrime të reja ushtarake ruse pranë kufirit me Finlandën. Ka prova për ndërtim strukturash për trupa dhe avionë, që përforcojnë frikën për një konflikt të gjatë me Perëndimin.

Një raport qeveritar finlandez në dhjetor paralajmëronte se Rusia mund të sulmojë Finlandën, Norvegjinë, Suedinë dhe shtetet baltike. Sipas NATO-s, Rusia ka simuluar një sulm të koordinuar në krahun lindor të aleancës.
Ekspertët paralajmërojnë se Putini mund të ndërmarrë sulme të vogla për të shkaktuar kaos brenda NATO-s dhe për ta vënë në provë nenin e mbrojtjes kolektive.

Ndërkohë, Putin dërgoi zyrtarë të nivelit të ulët për bisedime me Ukrainën në Turqi, ndërsa vetë refuzoi të paraqitet, pavarësisht deklaratës së Zelenskyt se do ta priste në Stamboll.
Kremlini publikoi emrat e një delegacioni më të ulët, çka u cilësua si përçmim nga aleatët europianë të Ukrainës. Në Ankara, mbretëronte konfuzion — zyrtarët turq nuk kishin konfirmuar kohën ose vendndodhjen e bisedimeve.
Presidenti turk Erdoğan pritet të takohet me Zelenskyn për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Kremlini nga ana e vet deklaroi se Putini nuk i përgjigjet ultimatumeve. Ishte Donald Trump që kishte shtyrë për një takim të mundshëm mes Putinit dhe Zelenskyt në Stamboll, por ai tha të enjten se nuk u befasua që Putini nuk erdhi: “Nuk mendoj se ishte e mundur që Putini të shkonte nëse unë nuk jam aty.”
Liderët perëndimorë paralajmërojnë se nëse nuk ka progres për paqe, do të ketë sanksione më të ashpra ndaj Moskës.







