FLASH :

Përplasje e rëndë në Qafë Thanë, plagoset rëndë një person – dy të tjerë në spital

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Qafë Thanë, duke shkaktuar tre të plagosur, mes tyre një në gjendje të rëndë për jetën.

Sipas të dhënave paraprake, dy automjete, një mjet tip “Passat” dhe një taksi, janë përplasur me forcë të madhe, duke u shkatërruar pothuajse plotësisht. Nga përplasja, një prej pasagjerëve ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa dy të tjerë kanë marrë lëndime të lehta.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se dyshohet se shkak i aksidentit është bërë një parakalim i gabuar, ndërkohë që rruga ka qenë e lagësht për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë zonën gjatë orëve të pasdites.

Pamje nga vendi i ngjarjes tregojnë shkatërrimin total të dy mjeteve dhe ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimeve të emergjencës dhe Policisë Rrugore. Të plagosurit janë transportuar drejt spitalit më të afërt për ndihmë mjekësore, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.