Një përplasje e paprecedentë ka shpërthyer mes ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe miliarderit Elon Musk, me thirrje publike që SpaceX të sekustrohet nga qeveria amerikane, pasi Musk kërcënoi të nxjerrë jashtë funksionit kapsulën “Dragon” që përdoret për të transportuar astronautë dhe furnizime drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS).
Kriza nisi pasi Musk sulmoi paketën ligjore të republikanëve të quajtur “projektligji i madh dhe i bukur”, duke thënë se ajo do të rriste ndjeshëm borxhin publik dhe do të shkatërronte përpjekjet e tij për të reduktuar shpenzimet qeveritare nëpërmjet agjencisë DOGE. Trump reagoi duke paralajmëruar se do të anulonte kontratat miliarda-dollareshe që qeveria ka me kompanitë e Musk.

I menjëhershëm ishte kundërpërgjigja e Musk, i cili deklaroi se do të nisë menjëherë çaktivizimin e kapsulës hapësinore Dragon – një veprim që mund të linte të bllokuar në hapësirë katër astronautë amerikanë. Ky zhvillim ngriti alarmin në qarqet e sigurisë kombëtare, ndërsa ish-këshilltari i Trump, Steve Bannon, kërkoi përdorimin e Aktit të Prodhimit për Mbrojtjen për të marrë kontrollin mbi SpaceX dhe për të hetuar statusin e shtetësisë së Musk, të cilin e quajti “të paligjshëm” – pavarësisht se Musk është qytetar amerikan prej më shumë se 20 vitesh.

Përplasja u përshkallëzua me akuza personale. Musk publikoi në platformën X se Trump është i përfshirë në dosjet e Jeffrey Epstein, duke nënkuptuar një arsye të mundshme për mosbërjen publike të tyre. Trump reagoi në mënyrë të vagullt në Truth Social, duke e quajtur projektligjin një nga më të mirët që ka parë Kongresi dhe duke minimizuar ndarjen me Musk.
Ndërkohë, tensionet prekën edhe programet e mëdha të NASA-s dhe Pentagonit, për të cilat SpaceX ka marrë më shumë se 17 miliardë dollarë kontrata që nga viti 2015. Nëse Musk mban premtimin dhe nxjerr jashtë funksionit kapsulat Dragon, NASA rrezikon të mbetet pa asnjë mjet amerikan të besueshëm për të dërguar astronautë në hapësirë, duke qenë se edhe kapsula Starliner e Boeing është aktualisht e papërshtatshme për udhëtime njerëzore.
Në këtë luftë gjigandësh që dikur ishin aleatë politikë, tani janë kthyer në armiq publikë, mbeten të paqarta pasojat për sigurinë kombëtare amerikane dhe për të ardhmen e programit hapësinor të SHBA.

