Nicola Peltz ka ndezur rrjetin me një foto nudo në vaskë, të publikuar në Instagram, menjëherë pas një dreke luksoze që ka shijuar në jug të Francës me mikun e saj të ngushtë Elton John.

Aktorja 30-vjeçare ndau një galeri me imazhe nga udhëtimi i saj në St. Tropez, ku në sfond zgjodhi këngën “Cold Heart” të Elton John dhe Dua Lipa, si një dedikim të veçantë për artistin legjendar.

Në foto, Nicola pozon provokuese në banjë, ndërsa bashkëshorti i saj Brooklyn Beckham zbuloi në komente se ishte ai që e kishte realizuar fotografinë.

Takimi me Eltonin erdhi vetëm pak orë pasi burime pranë këngëtarit zbuluan se ai kishte ftuar çiftin për drekë në restorantin luksoz La Guérite në Cannes, në përpjekje për të qetësuar tensionet e vazhdueshme mes Brooklyn dhe prindërve të tij, David dhe Victoria Beckham. Elton John, i cili ka mbi 30 vite miqësi me çiftin Beckham dhe është kumbari i Brooklyn-it, thuhet se ka qëndruar neutral, duke shprehur dëshirën e tij të vetme: që familja të pajtohet.

Sipas burimeve për “The Sun”, Elton e adhuron Brooklyn-in dhe gëzon një marrëdhënie të ngushtë me Nicolën, të cilën e cilëson si person plot humor dhe pozitivitet. Ai është përpjekur ta luajë rolin e “këshilltarit shpirtëror” për çiftin e ri, pa ndërhyrë drejtpërdrejt në përplasjet familjare.

Në drekën me ushqim të shtrenjtë dhe atmosfera relaksuese, Nicola u pa e buzëqeshur me një gotë Aperol Spritz në dorë, ndërsa Eltoni tregoi edhe një herë bujarinë e tij duke mbuluar të gjithë faturën, përfshirë edhe linguine me gaforre që kushton 190 paund.

As përfaqësuesit e Beckhamëve dhe as të Elton John nuk kanë komentuar publikisht mbi këtë takim, por mbetet për t’u parë nëse kjo nismë do të sjellë paqen në një nga familjet më të përfolura të botës së showbiz-it.


