FLASH :

Përmet / Punonjësit e Policisë ndihmuan turistët, që kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut.

Në vendin e quajtur “Ura e Dashit”, 14 turistë të huaj, duke eksploruar me këmbë zonën, kanë mbetur të bllokuar në një pjesë të kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe ato të zonave të mbrojtura, u nisën drejt zonës ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre.

Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Ata falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat e tjera, për përkushtimin dhe humanizmin e treguar, si dhe për ndihmën e dhënë në kohë rekord.

Policia e Gjirokastrës është e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve, dhe i fton ata që për çdo rast nevoje për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.