Një studente turke e doktoraturës në Universitetin Tufts në Boston, Rumeysa Ozturk, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe i është revokuar viza e saj studentore.
30-vjeçarja u arrestua dhe u ndalua fizikisht nga oficerët e emigracionit pranë banesës së saj, afër kampusit Somerville të Universitetit Tufts, ku ajo ishte një studente doktorature. Avokati i saj ka ngritur një padi në një gjykatë federale në Boston, duke pretenduar se ajo po mbahej në paraburgim në mënyrë të padrejtë.
Si përgjigje, gjyqtarja e qarkut Indira Talwani urdhëroi Zyrën e emigracionit dhe Doganave (ICE) të ndalonte deportimin e saj nga Massachusetts pa njoftim paraprak dhe të siguronte mbajtjen e saj në shtet për të paktën 48 orë pas çdo vendimi për largimin e saj.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe ICE nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi rastin.
Kush është Ozturk?
Ozturk është një studiuese e Fulbright dhe po ndiqte doktoraturën në Studimet e Fëmijëve dhe Zhvillimin Njerëzor. Më parë kishte studiuar në Universitetin Columbia në Nju Jork. Në vitin 2023, ajo publikoi një opinion në gazetën studentore Tufts Daily, ku kritikonte politikën e universitetit ndaj thirrjeve studentore për shkëputjen e lidhjeve me kompanitë e lidhura me Izraelin dhe njohjen e “gjenocidit palestinez”.
Arrestimi ka ngjallur shqetësime për lirinë e shprehjes dhe trajtimin e studentëve të huaj në SHBA.
Avokatët e të drejtave të njeriut dhe organizatat studentore kanë ngritur shqetësime mbi atë që ata e quajnë një qasje selektive të autoriteteve ndaj individëve që mbështesin kauza të caktuara politike.
Universiteti “nuk ndau asnjë informacion me autoritetet federale përpara ngjarjes dhe vendndodhja ku ndodhi nuk është e lidhur me Universitetin Tufts”, tha presidenti i Tufts, Sunil Kumar në një deklaratë me shkrim. “Nga ajo që na është thënë më pas, statusi i vizës studentore është ndërprerë dhe ne kërkojmë të konfirmojmë nëse ky informacion është i vërtetë”.
Arrestimi i Ozturk ka shkaktuar reagime të ashpra nga mbështetësit e saj, të cilët kanë planifikuar protesta në Somerville për të kundërshtuar veprimet e autoriteteve.