Shirat e rrëmbyeshëm që goditën Nju Jorkun dhe Nju Xhersin të hënën në mbrëmje shkaktuan përmbytje të menjëhershme, duke marrë jetën e dy personave dhe duke detyruar guvernatorin e Nju Xhersit, Phil Murphy, të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme. Dy viktimat humbën jetën në qytetin Plainfield, kur automjeti i tyre u mor nga ujërat, ndërsa në zona të tjera si Scotch Plains, ekipet e shpëtimit u angazhuan për të nxjerrë qytetarët nga automjetet e mbuluara nga përmbytja.
Qyteti i Nju Jorkut përjetoi reshjet e dyta më të dendura në mbi 80 vjet – 5 inç shi brenda vetëm 30 minutash – që përmbytën stacionet e metrosë dhe shkaktuan ndërprerje të shumta të transportit. Aeroporti Ndërkombëtar i Njuarkut pësoi vonesa dhe anulime të shumta fluturimesh. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), reshje të tjera të forta janë parashikuar në verilindje të SHBA-së, Florida dhe rajonet e mesme perëndimore, ndërsa disa qytete në Virxhinia janë në rrezik për përmbytje katastrofike. Autoritetet paralajmërojnë qytetarët të shmangin lëvizjet dhe të respektojnë njoftimet për mbylljen e rrugëve.







