Reshjet intensive që kanë përfshirë Durrësin sot në mëngjes kanë shkaktuar probleme të mëdha në qarkullimin rrugor, duke bllokuar nënkalimin te Veliera në lagjen nr. 1, pranë portit.
Sipas raportimeve nga banorët, nënkalimi është përmbytur nga uji, gjë që ka detyruar policinë të ndalojë qarkullimin në të dy drejtimet për sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Autoritetet kanë dërguar punonjës të emergjencës dhe bashkisë për të larguar ujin dhe për të rikthyer qarkullimin sa më shpejt të jetë e mundur.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente për përmirësimin e sistemit të kullimit, pasi situata përsëritet çdo herë që ka reshje të dendura.