FLASH :

Përjetoi tmerrin e burgut të Spaçit, Fatos Lubonja ‘përvesh mëngët’ dhe del në protestë: Po cënohet kujtesa

Aktivistë dhe ish të dënuar politikë të regjimit komunist kanë protestuar tek ish-burgu i Spaçit në Mirditë pas vendimit të autoriteteve për të ndërhyrë dhe për të përmirësuar disa nga ambientet për një projekt filmik dhe paralelisht për rikthimin e tij në Muze Kujtese.

Ish të përndjekurit janë revoltuar dhe shprehen se përmes këtyre ndërhyrjeve po fshihet historia. Një prej bashkëvuajtësve në këtë burg famëkeq, analisti Fatos Lubonja, tha se kujtesa në Spaç po cënohet.

“Këtu ka shumë gjëra që nuk flasin por t’i i kërkon. Edhe ky guri atje flet më shumë se një gur i ri. Dy baraka të gjata, njëra ka qenë menca e cila është zhdukur fare dhe kuzhina që ishte këtu. Ajo që shihni me tarracë që duan ta restaurojnë që ta bëjnë ashtu siç ka qenë, në ’73 ajo nuk ka qenë ashtu.”-tha Lubonja.

Temperaturat në qelitë e dënuarve arrinte deri në -22 gradë celcius, thotë një prej ish të përndjekurve i cili ka kaluar 8 vjet në qelitë e Spaçit.

“Trajtimi ka qenë çnjerëzor. Si rezultat i ushqimit të dobët me margarinë dhe trajtimit çnjerëzor, arriti të bëhej edhe revolta. Nuk ishte e organizuar. Ne jepnin margarinë. Revolta nuk ka qenë e organizuar. Pas revoltës këtu ka qenë tmerri vetë. Bënim punë skllavëruese dhe nëse nuk ke bërë normën përfundojë në dhomën e izolimit me temperaturë edhe -22 gradë.

Birucat kanë qenë 1 pëllëmbë mbi tokën dhe dritarja 20 me 20 e hapur, hynte edhe bora brenda. Bora nuk zgjaste shumë se toka e konsumonte, kurse akulli rrinte 6 muaj. Na rrihnin para dhe pas buke me shkop gome, kazma, grushte e shkelma.

Ka patur raste që kanë qëndruar mbi 20 ditë në infermieri dhe në spitalin e Tiranës. Flinim 54 veta në një dhomë me dyshekë kashte. Si batanije kishim mbeturinat e Luftës së Dytë Botërore që kishte lënë Italia. Ne kemi qenë në punë skllavëruese dhe për t’u eliminuar vetëvetiu nga puna, ushqimi i pamjaftueshëm siç janë eliminuar shumë njerëz.”-tregon ish i dënuari.

Një tjetër ish i dënuar shprehet se ka bërë 7 vjet burg dhe punë të rëndë për agjitacion dhe propagandë, pasi vishte këpucë dhe mbante syze të cilat regjimi komunist i konsideronte shfaqje e huaj.