FLASH :

Perimet shqiptare me pesticide, fermeret ‘të braktisur’ nga shteti: Në farmaci shiten medikamente të skaduara! Eksperti: Urgjente, ngritja e laboratorëve

Perimet shqiptare perfundojne në tregje, te pakontrolluara, kjo është arsyeja qe vendet e BE-se i kanë bllokuar rishtazi për shkak të pesticideve mbi normën e lejuar. Sipas fermerëve ne Lushnje, tregtarëve dhe ekspertëve, problemet kryesore lidhen me moszbatimin e karencës, mungesën e kontrollit të farmacive bujqësore si dhe domosdoshmërinë për ngritjen e laboratorëve të licencuar për analizimin e produkteve bujqësore.

Kroacia dhe Sllovenia kanë kthyer mbrapsht perimet shqiptare për shkak të sasise se larte te pesticideve. Në lidhje me këtë fenomen të përsëritur, media intervistoi fermerë, tregtare dhe eksperte te bujqësisë në Myzeqe, fushen me te madhe prodhuese në vend.

Stavri Gjini dhe Nikollë Mihali fermerë në zonën e Lushnjes thanë për mikrofonin e Report TV se problemi kryesor është mungesa e kontrollit të pesticideve që shiten në farmaci bujqësore dhe pikat e imputeve bujqësore.

Stavri Gjini: “Ne kemi shumë vite që punojmë me sera. Fillimisht tregun e kishim brenda vendit, por më pas me rritjen e prodhimeve dhe sipërfaqeve, eksporti u bë i domosdoshëm. Na duheshin këshilla, përqindjet e përdorimit të plehrave, ndihma teknike. Me kohë eksporti ka ecur mirë, drejt Europës, Bullgarisë, Rumanisë, Gjermanisë e më tej. Kujdesi për prodhimin fillon që nga fara, vendi ku mbillet dhe tregu ku shitet. Por jo gjithmonë arrihen të gjitha. Shpesh faji nuk është vetëm i fermerit. Edhe farmacitë bujqësore kanë përgjegjësi, pasi fusin preparate pa kontroll. Një shishe mund të testohet, por jo e gjithë sasia. Nëse përdoren preparate të pasigurta, dëmtohet i gjithë zinxhiri. Prandaj ne kemi nevojë për ndihmën e specialistëve, qoftë për farat, qoftë për pesticidet.”

Nikoll Mihali: “Ne jemi fermerë prej 20 vitesh. Problemi është se specialistët e bujqësisë nuk na ndihmojnë si duhet. Agronomët merren vetëm me prodhimin e kontraktuar, ndërsa ne fermerët e lirë mbetemi pa mbështetje. Shpesh blejmë preparate, disa janë edhe të skaduara. Nuk ka kush të na japë recetë të saktë siç bën një mjek për ilaçet. Ne duam të punojmë dhe kemi eksperiencë, por mbetemi të pambrojtur. Është e domosdoshme që specialistët të vijnë pranë nesh, të bëjnë grafikun e këshillimit dhe të na tregojnë cilat preparate janë të lejuara dhe cilat jo.”

Ndërsa Marsel Sema, i cili ka një magazinat më të mëdha të tregtimit të imputeve shprehet se çdo pesticid bujqësor shoqërohet me këshilla teknike por sipas tij, problemi kryesor është mosrespektimi i karencës, pra kohës që duhet pritur nga trajtimi kimik deri në vjeljen e prodhimit. Udhëzimet janë që fruti të vilet pas 14 deri në 21 ditësh nga trajtimi me pesticide por jo gjithmone zbatohet nga fermeret.

Marsel Sema: “Shpesh fermerët nuk respektojnë karencën. Spërkatin sot, pas pesë ditësh vjelin prodhimin dhe kjo ndikon shumë te konsumatori. Çdo preparat ka kohën e vet, disa nuk lënë mbetje fare, disa kanë karencë të shkurtër, disa të gjatë por duhet respektuar. Ne importojmë kryesisht nga vendet e BE-së, sidomos Spanja, dhe çdo produkt shoqërohet me analizë dhe certifikatë fitosanitare. Fermerëve u japim asistencë falas dhe i ndjekim edhe në terren, duke i këshilluar të mos tejkalojnë dozat dhe të respektojnë karencën. Nëse i zbatojnë këto, produktet janë të pastra”.

Eksperti i bujqësisë Ardit Bali u shpreh për Report TV se faji është i institucionevë në varësi të Ministrisë së Bujqësisë. Sipas tij agronomët duhet të jenë çdo ditë në terren për të këshilluar dhe kontrolluar fermerët. Gjithashtu është domosdoshmëri krijimi i laboratorëve që certifikojnë cilësinë e produktit.

Ardit Bali: “Këshillimi i specialistëve nuk funksionon si duhet. Nuk ka ndihmë të vazhdueshme për fermerët në lidhje me përdorimin e dozave dhe respektimin e karencës. Është domosdoshmëri ngritja e laboratorëve shtetërorë për certifikimin e produkteve, që të mos përsëriten kthimet nga tregjet e huaja. Karenca është koha që duhet të kalojë pas trajtimit me pesticide para se të vilet prodhimi. Fatkeqësisht, shumë fermerë nuk kanë informacion dhe institucionet nuk bëjnë sa duhet. Kështu, në Shqipëri produktet dalin ‘të pastra’, por jashtë vendit bllokohen. Laboratorët privatë ekzistojnë, por shteti duhet të ketë laboratorë funksionalë pranë drejtorive të bujqësisë dhe inspektoriateve.”

Në përfundim, nga të gjithë faktorët – fermerë, tregtarë dhe ekspertë – ngrihen dy probleme kryesore: Moszbatimi i karences, mungesa e kontrollit dhe mbështetjes së specialistëve të bujqësisë si dhe nevoja urgjente për ngritjen e laboratorëve te licensuar per analizat e produkteve bujqesore.