Në një kohë kur Serbia blen raketa nga Rusia, Kroacia përforcon arsenalin përballë kërcënimeve të mundshme dhe Kosova forcon mbrojtjen nga një sulm i dytë, Shqipëria zgjidh të prodhojë uniforma.
Nga Beogradi në Zagreb, nga Prishtina në Podgoricë – Ballkani po flet gjuhën e re të sigurisë: armatimi i vrullshëm. Tendencat e reja në rajon janë të qarta dhe të forta: përgatitje për të papriturat, forcim i kapaciteteve ushtarake dhe përafrim me strategjitë perëndimore të mbrojtjes kolektive. Përveç Shqipërisë.
Serbia është kthyer në një klient të besueshëm të industrisë ushtarake ruse dhe kineze. Armët moderne që blen nuk janë për muze, por për t’u përdorur – në rastin më të afërt, për të ushtruar presion mbi Kosovën. Kremlini i Putinit nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për destabilizim në periferi të NATO-s. Dhe Beogradi është porta e tij në Ballkan.
Kroacia, ndonëse në BE dhe NATO, nuk është rehatuar. Përkundrazi, e sheh Serbinë e armatosur si një kërcënim real. Prandaj ka rritur investimet në sistemet mbrojtëse dhe modernizimin e flotës ushtarake. Në këtë valë është futur edhe Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe në mënyrë të veçantë Kosova, e cila ka rritur buxhetin e mbrojtjes dhe ka blerë pajisje të reja për Forcën e Sigurisë.
Dhe Shqipëria? Përballë gjithë këtij peizazhi tensioni, përgjigja e Tiranës zyrtare vjen përmes kryeministrit Edi Rama, i cili deklaron me entuziazëm se “po rrisim kapacitetet për prodhimin e uniformave për policinë dhe ushtrinë”. Në një rajon që flet me gjuhën e dronëve, raketave dhe radarëve, Shqipëria përgjigjet me… rroba. Është një deklaratë që do ishte komike, nëse nuk do ishte tragjike.
Në vend të forcimit të mbrojtjes kibernetike, të investimeve në armatim inteligjent, të stërvitjeve të përbashkëta me NATO-n apo të ndërtimit të një strategjie të re ushtarake në përputhje me rreziqet globale – Shqipëria duket se ka zgjedhur të “rindërtojë” imazhin e ushtrisë me ngjyra të reja uniformash.
Në një kohë kur lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe përplasjet në Detin e Jugut po rishkruajnë rendin botëror të sigurisë, Shqipëria rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkan që e lexon gabim kohën.







