FLASH :

Përfundon Panairi i Librit ‘Ulqini 2025’, vepra më e mirë në prozë iu dha Mehmet Krajës

Në mbrëmjen e 29 korrikut, në skenën e Panairit të Librit në Ulqin, u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve dhe mirënjohjeve të edicionit të 24-t të këtij panairi. Në prani të shkrimtarëve, studiuesve dhe lexuesve të shumtë, drejtuesit e aktivitetit theksuan rolin bashkues të librit dhe misionin e këtij panairi në tre dekada.

Çmimi ‘Dega e Ullirit’, i dedikuar letërsisë për fëmijë, iu nda shkrimtareve Meliza Krasniqi për librin ‘Nexhmije Pagarusha, unë jam bilbili i Kosovës’ dhe Elia Zaharia për librin ‘Perla dhe dreri i artë’.

Çmimi ‘Servantes’ për përkthim iu dha Durim Taçit për romanin ‘Portokall me kurdisje’ të Anthony Burgess. Studiuesi Behar Gjoka u vlerësua me çmimin ‘Olcinium’ për veprën studimore “Petro Marko, shkrimtari i lirisë”.

Çmimi ‘Liburnia’ për veprën më të mirë në prozë iu dha akademikut Mehmet Kraja për vëllimin me tregime ‘Histori të ëndrrave të hershme’.

Mirënjohje të veçanta iu dhanë shkrimtarit Pashko R. Camaj, shkrimtarit malazez Andrej Nikolaidis, si dhe poetit Shkëlzen Zalli, pas vdekjes. Ceremonia u përshëndet edhe nga autoritetet vendore dhe diplomatike.

Në kuadër të Panairit, u mbajt edhe një takim letrar i veçantë, kushtuar poetes Dragana Erjavsek. Edicioni i 24-t, një ndër më jetëgjatët në trevat shqiptare, mbetet një pikë referimi për bashkëpunimin kulturor në rajon.