FLASH :

Perëndimorët do e njohin shtetin palestinez pasi të mos ketë më asnjë palestinez!

Nga Kim Mehmeti

Perëndimorët, të gjithë sa ishin – ashtu siç shkuan në Kiev – u ngutën të shkonin në Tel Aviv që t’u përkulen izraelitëve dhe që t’ua shprehin mbështetjen në luftën e tyre ‘mbrojtëse’, por kurrë nuk shkuan në Gaza për t’u treguar fëmijëve palestinezë se kush ata do i mbronte nga gjenocidi izraelit!?

Vendet Perëndimore ia dhanë Izraelit kohën dhe armatimin e duhur që ta rrafshonte Gazën me tokë dhe që tani, kur palestinezët kanë mbetur pa atdhe dhe thuajse pa asnjë mundësi që të mbijetojnë, ata të shprehen të gatshëm për ta njohur shtetin palestinezë!?

Perëndimorët, së bashku me arabët, u shtirën se nuk e shohin që Izraeli edhe ushqimin e përdorë si armë shfarosëse dhe se fëmijët palestinezë vdisnin e vdesin për një kafshatë bukë dhe për një pikë ujë.

Dhe përderisa zëri i ndërgjegjes së botës perëndimore kurrë nuk u hesht, bota arabe mbeti e ngulfatur nga babëzia e diktatorëve dhe mbretërve të tyre që thirren ne fe e Zot, por i shërbejnë djallit.

Çka nuk ndodhi gjatë kësaj kohe sa izraelitët të papenguar i shfarosin palestinezët, por më e trishtueshmja që u pa është fytyra monstruoze e së vërtetës se gjinia njerëzore sot e jeton epokën e arritjeve të mëdha teknologjike, por se është e zhytur në gropën septike ku derdhet amorali dhe ndërgjegjja e kalbur dhe e qelbur njerëzore.

Andaj nuk është Gaza ajo që vuan nga uria, po jemi të gjithë ne ata që ushqehemi me kufomën e paturpësisë sonë. Dhe nuk është se Izraeli e ka mposhtur dhe shkatërruar Gazën, por ai i ka rrënuar të gjithë vlerat njerëzore dhe ka shkatërruar besimin tonë se ia vlen të jesh e të mbetesh njeri!