Pentagoni ka publikuar pamjet e para zyrtare të sulmit ajror amerikan ndaj centralit bërthamor nëntokësor Fordow të Iranit, një nga objektet më të sigurta të programit atomik të Teheranit. Sulmi ndodhi gjatë natës mes 21 dhe 22 qershor dhe është cilësuar si një nga operacionet më të ndërlikuara teknologjikisht të viteve të fundit.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, së bashku me Kryetarin e Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, gjeneralin Dan Caine, dolën në një konferencë për shtyp në Uashington ku shfaqën videon që tregon momentin kur predhat bunker-shkatërruese godasin objektivin nëntokësor në malësitë pranë qytetit Qom.
Në video duken valë të mëdha shpërthimi dhe çarje të mëdha në sipërfaqe, të cilat sipas ushtrisë amerikane korrespondojnë me hyrjet kryesore të objektit të Fordow-t, të cilat janë synuar për të bllokuar aksesin dhe për të dëmtuar rëndë infrastrukturën e brendshme.
Zyrtarët amerikanë deklaruan se “sulmi kishte për qëllim të vonojë programin bërthamor të Iranit për disa vite dhe të dërgojë një mesazh të qartë parandalimi”. Ndërkohë, Irani ka reaguar duke pohuar se sulmi ka shkaktuar dëme të mëdha materiale, por jo viktima, dhe se aktiviteti bërthamor do të rifillojë “më fuqishëm”.
Pamjet janë shoqëruar me analizë teknike dhe paralajmërime për pasoja të mëtejshme nëse Teherani nuk tërhiqet nga përshkallëzimi. Sulmi vjen në kulmin e tensioneve pas shkëmbimeve të dhunshme midis Iranit dhe Izraelit, si dhe në prag të samitit të NATO-s, ku presidenti Trump u shpreh se “bomba iraniane është e asgjësuar”.
Në një konferencë të bujshme për shtyp në Pentagon, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe gjenerali Dan Caine zbuluan detaje të padëgjuara më parë mbi sulmin amerikan kundër centralit bërthamor iranian në Fordow. Ngjarja, e ndodhur mes natës së 21 dhe 22 qershorit, është përshkruar si kulmi i një operacioni që ka zgjatur 15 vite dhe ka përfshirë qindra teste sekrete me një qëllim të vetëm: çmontimin total të objektivit më të mbrojtur të programit bërthamor të Iranit.
“Zgjidhni ju fjalën: e asgjësuar, e shkatërruar, e zhdukur. Ja çfarë kemi bërë me kapacitetet bërthamore të Iranit”, deklaroi Hegseth, ndërsa lavdëroi vendimin e Presidentit Trump për të urdhëruar sulmin ajror. Ai kritikoi ashpër median, duke e akuzuar se po injoron një moment historik që mund të sjellë fundin e luftës dymbëdhjetëditore dhe një epokë të re në rajon.
Gjenerali Caine tregoi me emocion për përgatitjen shumëvjeçare që i parapriu sulmit: nga analiza e detajuar e gjeologjisë së zonës, ndërtimit të strukturës, materialeve dhe sistemit të ventilimit, deri te zhvillimi i bombës së specializuar GBU-57 për të depërtuar bunkerët nëntokësorë. “Ky objektiv u kthye në obsesion për ekipin tonë. Ata jetuan dhe ëndërruan për të, për 15 vjet”, u shpreh Caine, duke shtuar se qysh në vitin 2009, agjentët amerikanë filluan të përqendroheshin te Fordow si qendra kyçe e fshehtë e ambicieve bërthamore të Teheranit.
Ndërkohë, Rafael Grossi, drejtori i AIEA-s, konfirmoi se pas bombardimeve, centrifugat e Fordow nuk janë më funksionale. Ai deklaroi për radion franceze se, edhe pse inspektorët nuk kanë arritur ende të hyjnë në impiant, dëmet duken të konsiderueshme bazuar në analizën teknike dhe fuqinë e bombave anti-bunker. “Dëmet janë të mëdha. Do të jetë shumë më e vështirë për Iranin të ruajë ritmin e mëparshëm”, tha Grossi, duke shtuar se është ende herët për të thënë nëse programi është “zhdukur plotësisht”.
Sulmi i fundit ndaj Fordow është përshkruar nga Pentagoni si operacioni më i ndërlikuar ushtarak i dekadave të fundit dhe konsiderohet si goditja më serioze ndaj kapaciteteve bërthamore të Iranit në historinë moderne. Ndërkohë, pritet reagimi zyrtar nga Irani dhe reagimet ndërkombëtare ndaj këtij zhvillimi të jashtëzakonshëm.







