Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit (IVMT) në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Pogradecit kanë nisur një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna pa leje nga subjektet tregtare, veçanërisht bar-kafe që kanë uzurpuar trotuare e rrugë me tavolina, çadra dhe struktura të përkohshme. Aksioni ka nisur nga bulevardi “Europa”, një nga zonat më të frekuentuara të qytetit, dhe pritet të shtrihet në çdo rrugë e rrugicë të Pogradecit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë punonjësit teksa heqin çadrat dhe zhbllokojnë trotuaret, ndërsa pensionistët, të cilët janë klientë të përhershëm të kafeneve buzë liqenit, nuk lëvizin nga vendet e tyre dhe qëndrojnë të ulur pavarësisht ndërhyrjes. Autoritetet lokale bëjnë thirrje për bashkëpunim dhe theksojnë se qëllimi i këtij operacioni është vendosja e rregullit urban dhe kthimi i hapësirave publike për qytetarët, jo penalizimi i bizneseve.







